Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka mbërritur para pak minutash në selinë blu, ku do të zhvillojë një takim me kreun e Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.
Në këtë takim mes drejtuesve më të rëndësishëm të opozitës së bashkuar joparlamentare, pritet të diskutohet mbi ecurinë e aksionit të përbashkët dhe për mundësitë e zgjidhjes së krizës institucionale që ka përfshirë prej kohësh vendin.
Ky takim vjen një ditë pasi u mësua se PD-ja ka përgatitur një raport mbi zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit, që do t’ia paraqesë partnerëve ndërkombëtarë. Sipas informacioneve paraprake, në këtë raport, selia blu ka dokumentuar në mënyrë të detajuar shkeljet dhe paligjshmëritë në zgjedhjeve vendore, shoqëruar me prova konkrete që implikojnë Partinë Socialiste.
Mësohet se raporti i përpiluar nga demokratët i është dorëzuar fillimisht misionit ndërkombëtar të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it.
Ndërkohë, ditën e nesërme, kryedemokrati pritet të takojë aleatët e PD-së: Agron Dukën e Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Vangjel Dulen e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ)-së, Dashamir Shehun e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Nard Ndokën e Partisë Demokristiane (PDK) dhe Fatmir Mediun e Partisë Republikane (PR).