Ka ardhur reagimi i parë nga Partia Demokratike për atë që u quajt si qarkore e brendshme e PD-së ku jepeshin udhëzime për anëtarët e kryesisë këshillit kombëtar dhe ish-deputetët për mediat që duhet të shmangeshin pasi ishin të blera nga qeveria. I ftuar në emisionin Top Show në TCH, ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji tha se atë dokument mund ta ketë shkruar kushdo edhe pse aty thuhen disa të vërteta.
“Kjo e ashtuquajtura qarkore mund të mos jetë fare një dokument i dalë nga PD. Unë për vete nuk e kam marrë. Ajo mund të jetë bërë nga PS dhe aty janë futur edhe disa të vërteta dhe ndaj ka ngjitur ajo në publik. Ajo nuk ka asnjë vulë apo firmë të PD-së dhe unë nuk e di kush e ka hartuar. Unë e dënoj çdo sulm ndaj medieve si dhe neveris çdo gazetar që paguhet nga qeveria për të bërë propagandën e saj” – tha Salianji që u përball edhe me gazetarin Alfred Lela i cili ka pasur një reagim të fortë pas daljes së këtij dokumenti. ©LAPSI.al