Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Ermonela Felaj, ka folur lidhur me letrën e presidentit të Republikës, Ilir Meta, drejtuar Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, ku kërkon informacione mbi hapat që po ndërmerren për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën e Lartë.
Në një intervistë për emisionin “Top Talk” në televizionin “Top Channel”, Felaj është shprehur se KLGJ, në raportin që i ka dërguar Kuvendit, ka gjetur një sërë shkeljesh të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), nën kryesimin e kreut të shtetit. “Në raportin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit janë gjetur një sërë shkeljesh të bëra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të cilin e drejtonte Presidenti.”-ka thënë deputetja socialiste.
E pyetur se nëse këto gjetje të raportit, që përbëjnë sipas saj shkelje të rënda të Kushtetutës, do të pasohen me arrestimin e Metës, Ermonela Felaj u përgjigj: “Jo domosdoshmërisht. Varet nga rasti që do të marrin në shqyrtim. Komisioni Hetimor do të raportojë nëse këto shkelje janë ose jo çështje penale”.
Në letrën dërguar KLGJ-së, presidenti kërkonte informacion shterues edhe mbi rekomandimet e misionit të ekspertizës së BE-së “Euralius V” rreth çështjes në fjalë. Po ashtu, Meta sulmoi misionin Euralius, pasi sipas tij po tenton të kufizojnë rolin e presidentit për emërimet në drejtësi.