Kryeministri Edi Rama ka qenë mëngjesin e sotëm në një takim me banorët e njësisë nr.4 në Tiranë. Ai u shpreh aty se Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës.
“Do doja të flisnim si të punojmë, si të rregullojmë, po ç’ti bësh, Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës, dështon Luli ndërhyn Iliri. Është fatkeqësi e madhe për institucionin por s’kemi ç’bëjmë. E thashë unë erdhi dita që edhe Nishani të duket si Xhefersoni. Habi e madhe. Kur bëmë marrëveshjen (18 maj 2017) atëherë që ishte e deklaruar nga të dyja palët ata të Presidencës merrnin në telefon, na dërgonin letrat me firmë të përbashkët që jeni dakord për shtyrjen e zgjedhjeve, e kërkonte me shkrim. Po ky tani? Ky i hodhi benzinë zjarrit me atë marrëzinë e çfirmosjes së firmës së vetë. Ju dha motiv këtyre të mbrohen duke thënë do respektojmë dekretin. Ajo histori e ka marrë përgjigjen edhe nga Kolegji Zgjedhor. Askush se vë në diskutim vendimin e Kolegjit se ai vulos zgjedhjet. Sa për datë të re, ai mund të bëjë ç’të dojë, po do jetë nul. Kot e ka, këtu ka institucione. Presidenti s’ka asnjë të drejtë në asnjë rresht të Kushtetutës, por kur Kushtetutën e lexon në filxhan…”,- tha Rama.
Ndërsa i pyetur se a kishte mundësi që Presidenti të shpërndante parlamentin, Rama ironizoi duke thënë: “Ai mund t’i shpallë luftë edhe Amerikës…”