Flash

Mbappé, tani një gol larg nga Messi: super Olise, Franca shumë e fortë për Suedinë

Gjithçka ishte tepër e lehtë për Francën, e cila në 1/16 e finaleve mposhti Suedinë me rezultatin 3-0 dhe siguroi kualifikimin në 1/8

Lapsi.al 1 July 2026

Gjithçka ishte tepër e lehtë për Francën, e cila në 1/16 e finaleve mposhti Suedinë me rezultatin 3-0 dhe siguroi kualifikimin në 1/8, ku do të përballet me Paraguain. Skuadra e Didier Deschamps dominoi ndeshjen dhe goditi dy herë shtyllën me Kylian Mbappé dhe Michael Olise (me një roveshatë spektakolare), përpara se Mbappé të shpikte golin e avantazhit 1-0 në minutën e 45'. Në pjesën e dytë Barcola dyfishoi shifrat në minutën e 53', ndërsa në të 74' Mbappé realizoi golin e dytë personal për rezultatin përfundimtar 3-0. Të dy golat erdhën pas pasimeve brilante të Olise, i cili vazhdon të mos gjejë ende rrugën e rrjetës.

Franca fluturon drejt 1/8-ave falë një tjetër paraqitjeje të jashtëzakonshme të Kylian Mbappé dhe Michael Olise. Sulmuesi i Real Madridit iu afrua golit që në fillim, por goditi shtyllën pas një aksioni të bukur të Koundé. Pak minuta më vonë edhe Olise provoi një roveshatë spektakolare nga distanca, por edhe ai u ndal nga shtylla. Në fundin e pjesës së parë “Gjelat” zhbllokuan sfidën. Pas një goditjeje nga këndi të fituar sërish nga Olise, Mbappé kaloi me driblim dy mbrojtës suedezë dhe realizoi një gol fantastik në shtyllën e dytë nga një kënd shumë i vështirë në minutën e 45'.

Edhe pas pushimit Franca vazhdoi të sulmonte dhe në minutën e 53' erdhi goli i dytë. Olise dha një pasim të shkëlqyer për depërtimin e Barcola, i cili nuk gaboi dhe shënoi golin e tij të dytë në këtë Botëror. Me Suedinë tashmë të dorëzuar, Olise kërkoi me ngulm golin e tij të parë në Kupën e Botës, por në minutën e 74' u desh të kënaqej me një tjetër asist magjik. Pasimi i tij në thellësi gjeti Mbappé, i cili realizoi dopietën personale dhe barazoi Lionel Messin në krye të renditjes së golashënuesve me 6 gola. Franca fitoi 3-0 dhe siguroi një duel me Paraguain në 1/8-at, ndërsa Mbappé tashmë numëron 18 gola në po aq ndeshje të Kupës së Botës gjatë karrierës së tij.

 

Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Euro kap një minimum të ri

Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka mbyllur edhe këtë javë në rënie, duke shënuar një rekord të ri historik. Sipas kurs...

15:29

Me sytë katër

PAPARAZZI