Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit, Edi Rama, i cili paralajmëroi mbështetësit e frontit opozitar se në rastin e cënimit të zgjedhjeve, akt që e klasifikon si një krim elektoral, do t’u ndalohet dalja jashtë territorit të Shqipërisë për një periudhë që varion nga 5-10 vjet.
Në një reagim zyrtar, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, e ka cilësuar deklaratën e Ramës si një kërcënim të hapur për shqiptarët dhe ka theksuar se “Ramën nuk do ta shpëtoje dot asgjë”. Spaho shprehet se “opozita është e palëkundër kundër pushtetit të tij kriminal dhe shqiptarët janë të vendosur për të mbrojtur demokracinë dhe për të ndëshkuar politikanët e lidhur me krimin”.
Reagim zyrtar i Partisë Demokratike:
“Pasi i la pa gjykata dhe drejtësi, Edi Rama sot i kërcënoi shqiptarët se do t’u heqë lirinë për të lëvizur nëpër botë, të cilën e fituan pas shumë vuajtjesh e sakrificash.
Polici, gazlotjellës, dhunë, kërcënime frikësim, përçarje dhe nxitje të vëllavrasjes. Këto janë mjetet me të cilat Edi Rama po përpiqet të ruajë pushtetin dhe paratë që ka vjedhur.
Nuk do ta shpëtojë dot asgjë. Opozita është e palëkundër kundër pushtetit të tij kriminal dhe shqiptarët janë të vendosur për të mbrojtur demokracinë dhe për të ndëshkuar politikanët e lidhur me krimin.”- tha Spaho në reagimin zyrtar të PD-së.
Ndërkaq, Komisioni Ligjeve pranoi dhe votoi pro amendamentit të deputetit Ervin Bushati për ndryshimet në Kodin e procedurës Penale për krimet zgjedhore. Bushati kërkoi ashpërsimin e Kodit Penal, duke shtuar se personat që cënojnë zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik, do t’i ndalohet dalja jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vjet.
Ky ligj do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.