Kolegji i Posaçëm i Apelimit caktoi dje trupin gjykues që do të shqyrtojë ankimimin kundër konfirmimit në detyrë, të drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Referuar njoftimit zyrtar të KPA-së, mësohet se kryesuese e trupës gjykuese është Natasha Mulaj, ndërsa në cilësinë e relatorit, Ardian Hajdari. Nga shorti i hedhur është caktuar si anëtare edhe Ina Rama.
“Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr.103, datë 05.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit, znj. Donika Prela. Në datën 02.05.2019, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.
Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon: Kryesuese, Natasha Mulaj; në cilësinë e relatorit, Ardian Hajdari; dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci e Sokol Çomo”, njoftoi KPA.
Kujtojmë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë drejtuesen e Krimeve të Rënda, ndërsa dy muaj më vonë, ky vendim u animua nga Komisioneri Publik, i cili argumentonte se nga gjendja e akteve dhe hetimit të kryer në Shkallë të Parë krijohej bindja se Prela nuk kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë. Ndërkohë, konfirmimi në detyrë i Prelës u shoqërua me debate në opinionin publik, ndërsa pati edhe akuza politike.