Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka bërë një reagim në rrjetet sociale pas akuzave nga të katër anët se policia e shtetit nuk reagoi siç duhet pasi u njoh me abuzimin seksual ndaj një 14-vjeçareje në Kavajë nga një grup bashkëmoshatarësh të saj. Në një koment të bërë në Twitter, ministri Lleshaj shkruan se rasti është trajtuar menjëherë dhe me përparësi nga Policia e Shtetit, por më pas bën kritika pa guxuar të përmendë emra.
“S'ka më fjalë shqipe për monstrën që nuk njeh asnjë cak dhe ndot çdo gjë me gjuhën e tij! Rasti fatkeq i minorenes së dhunuar është trajtuar menjëherë dhe drejt nga Policia e Shtetit. Të tjerat janë poshtërsi. Ky e ata që bëjnë politikë apo audiencë me viktimën meritojnë neveri” – shkruan Lleshaj pa saktësuar kush janë “ky që bën politikë” dhe “ata që kërkojnë audiencë”.
I pari duket se është ish-kryeministri Sali Berisha që në mbrëmje ishte në studion e “Ora News. Berisha ishte dhe ai që denoncoi i pari ngjarjen pas së cilës u vunë në lëvizje autoritetet. Mbrëmja e së martës kishte edhe dy emisione për ngjarjen e Kavajës, në News 24 nga Rudina Xhunga dhe “Opinion” në Tv Klan. Nuk është e qartë për kë e ka shigjetën e audiencës ministri që këtë herë ka folur si Rilindas. Edhe këtë herë problemi për të janë mediat, jo zyrtarët e shtetit. ©LAPSI.al