Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka dhënë “OK” drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Sot KPK tha se pas hetimit të thellë, ka vendosur rikonfirmimin në detyrë të Prelës.
“KPK zhvilloi një procedurë të thellë të hetimit administrativ për 3 objektet e vlerësimit, dëgjoi dokumentacionin shpjegues dhe atë të bërë prezent në seancën e dëgjimit.
Për rrjedhojë e konsiderojmë të përfunduar procesin e rivlerësimit.
Trupi gjykues vendosi konfirmimin në detyrë për subjektin e vlerësimit Donika Prela, drejtuese e prokurorisë së shkallës së parë të Krimeve të Rënda”, deklaroi KPK.
Vendimi ishte vendosur të shpallej më 28 janar por për shkak të disa denoncimeve, KPK vendosi ta shtynte shpalljen e vendimit për më 5 shkurt.
KPK ishte përbërë nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.
Pas seancës dëgjimore javën e kaluar, opozita ngriti akuza në lidhje me hetimin e kryer ndaj drejtueses së Krimeve të Rënda, duke thënë se, edhe pse janë konstatuar probleme me pasurinë dhe një pjesë e tyre nuk kanë hetuar fare, Prela do të kalojë vetingun.
Hetimi për Donika Prelën konkludoi në një problem. Pagën e marrë në ‘të zezë’ të bashkëshortit të prokurorës, dy apartamente të blera me një çmim më të ulët se vlera e tregut, si dhe një hua e marrë nga një i afërm.
“Dosja juaj më la një shije të keqe”, kështu u shpreh përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ndërsa i kërkoi llogari drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prelës, për disa probleme në lidhje me pasurinë e saj.
Kryeprokurorja ia justifikoi këtë fakt Jacobs, me realitetin shqiptar.
“Unë dhe bashkëshorti im kemi jetuar dhe punuar në Shqipëri dhe jo në një vend të Bashkimit Europian, ku një marrëdhënie pune fillon dhe mbaron në mënyrë të ligjshme. Bashkëshorti im ka nënshkruar një kontratë dhe u është përmbajtur detyrimeve të saj. Legjislacioni shqiptar ngarkon me përgjegjësi punëdhënësin për detyrimet dhe nuk ka asnjë dispozitë që tregon se tatimi në burim mund të paguhet në mënyrë vullnetare. I qëndroj asaj që kam thënë në parashtrimet e mia, kjo është detyrë e kompanisë, ne e kemi paditur për këtë arsye”, tha në fund Prela.
Por, sa i përket dy kritereve të tjera të rivlerësimit, atë të pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale, Prela ishte e përshtatshme për të vazhduar detyrën.
Vetë Donika Prela nuk kishte zgjedhur një mbrojtës ligjor, ndërsa para Komisionit ka dhënë shpjegimet e saj, në lidhje me dyshimet e ngritura nga KPK-ja, duke kërkuar në fund konfirmimin në detyrë.