
Teksa Shqipëria hyn në ditën e 27-të të protestave dhe mijëra qytetarë vazhdojnë të mbushin çdo mbrëmje sheshet duke kërkuar largimin e qeverisë, ministri Blendi Gonxhja duket se sheh një realitet krejt tjetër. Një realitet që ia ka vizatuar shefi i tij piktor.
Në vend që të ndalej te arsyet e revoltës, ai zgjodhi t’ua atribuojë pakënaqësinë qytetarëve, duke deklaruar se pritshmëritë e tyre janë “jashtë realitetit” dhe se Shqipëria “është më mirë se kurrë më parë”.
"Mund të themi me zë të lartë që mandatet që kemi kaluar, kanë qenë të ndikuara e të kushtëzuara nga tërmeti, pandemia. Janë dashur vite e vite, që ne jemi përpjekur që të superojmë, që të përballojmë një prej situatave më të vështira që bota ka kaluar. Shqipëria i ka superuar këto situata, Shqipëria sot është në këmbë, Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë. Por niveli shumë i lartë i pritshmërisë së qytetarëve nuk përputhet me realitetin, por kjo nuk do të justifikonte hedhjen poshtë të gjithçkaje të bërë në këto vite”, tha mes të tjerash Gonxhja. ©Lapsi.al