Flash

Arkitektët duhet ta paguajnë këtë krim që po i bëjnë Shqipërisë

Vincent Van Gerven Oei shkruan se arkitektët më të njohur ndërkombëtarë kanë legjitimuar me prestigjin e tyre projektet e Edi Ramës, duke i cilësuar ato pjesë të një modeli të ndërtuar mbi korrupsionin, pastrimin e parave dhe propagandën politike.

Lapsi.al 26 June 2026

Arkitektët duhet ta paguajnë këtë krim që po i

Në vitin 1860, qeveria belge organizoi një konkurs ndërkombëtar arkitekture për një pallat të ri drejtësie në Bruksel. Arkitekti fitues, Joseph Poelaert, kishte qenë gjithashtu pjesë e jurisë.

Për t’i hapur rrugë ndërtimit, filloi një proces shpronësimesh që shkatërroi një lagje të tërë popullore në qendër të qytetit për një projekt-ndërtesë megalomane, më e madhe se Bazilika e Shën Pjetrit në Romë. Pati protesta masive, por megjithatë godina u ndërtua.

Në vitin 1984, ndërtesa u rrethua me skela për ta restauruar, por ky proces  nuk filloi kurrë realisht. Ende sot, kjo ndërtesë gjigante qëndron thuajse bosh.

E gjithë kjo tingëllon histori tmerrësisht e njohur për këdo që jeton në Tiranën e shekullit XXI.

Ajo që nuk dihet ndoshta në Shqipëri është se nja nga ofendimet më të rënda që përdoret ndaj dikujt në lagjen përreth Pallatit të Drejtësisë në Bruksel është “schieven arkitekt” – “arkitekt i mbrapshtë”!

Nuk do të habitesha aspak nëse diku në të ardhmen “arkitekt i mbrapshtë” do të bëhet një fyerje e mirëfilltë shqiptare.

Pas largimit të Kryeministrit Edi Rama nga pushteti (nuk bëhet fjalë a do të largohet, por sa shpejt do largohet), një detyrë e madhe do të jetë vënia para drejtësisë e kujtdo që e ka tharë Shqipërinë nga burimet, toka dhe rinia e saj. Mes tyre duhet të jenë edhe ata arkitektë ndërkombëtarë që për më shumë se dy dekada kanë ofruar një fasadë prestigji për atë që tashmë është e qartë: korrupsioni flagrant dhe pastrimin e parave të krimit.

“Arkitekt-yjet” si Winy Maas, Bjarke Ingels dhe Stefano Boeri do të duhet të thirren nga një komision hetimor parlamentar – në mos nga SPAK – për të shpjeguar saktësisht se si ishte e mundur që një nga vendet më të varfra të Europës të ndërtonte kullat më “vizionare”.

Nga mendonin ata se po vinin paratë?

A kanë bërë ndonjëherë verifikimin e duhur mbi projektet e tyre apo thjesht morën paratë dhe shijuan lavdërimet e liderit të madh?

Fatmirësisht, arkitektët ndërkombëtarë janë aq narcistë dhe të shkëputur nga realiteti saqë i ekspozojnë hapur provat e korrupsionit dhe servilizmit të tyre.

Për shembull, Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë, Royal Institute of British Architects (RIBA), anëtarët e të cilit supozohet se “sillen me integritet dhe përpiqen të mbrojnë dhe përmirësojnë reputacionin dhe dinjitetin e institutit” dhe kodi i etikës së të cilit i rendit “konfliktin e interesit; ryshfetin dhe korrupsionin; dënimin penal/sanksionet admisnitative” si probleme potenciale, vendosi t’i japë Ramës anëtarësim nderi në fillim të vitit 2026, pikërisht kur skandali i korrupsionit të Belinda Balluku po shpërthente në lajmet botërore.

Në profilin që shoqëronte këtë vlerësim prestigjioz, RIBA shfaq pa asnjë turp disa projekte që së fundmi kanë rënë nën shqyrtimin e SPAK-ut, përfshirë projektin Green Coast të Samir Manes, i cili raportohet se ka tërhequr investime kriminale në miliona euro, si dhe “Garden of Eden”, të projektuar nga Studio Precht,  i quajtur nga kryeministri si “një zemër e re sociale” për Kryeministrinë por që askush nuk lejohet ta shohë – pavarësisht se është ndërtuar me para publike.

Më së fundmi – dhe akoma më paturpësisht – pothuajse çdo arkitekt ndërkombëtar ka ofruar prova të krimeve të veta në një botim të quajtur pa asnjë ironi The Albanian Files, publikuar nga Lars Müller Publishers.

Në mënyrë domethënëse, asnjë arkitekt shqiptar nuk shfaqet në këtë libër.

Në hyrjen e tij, Edi Rama shkruan:

“Në Shqipëri, fjala dosje mbart një kujtesë të gjatë dhe të dhimbshme. Dosjet ishin instrumente frike. […] Dosjet nuk ishin krijuar për të kuptuar. Ato ishin krijuar për të kontrolluar.”

Përtej faktit që qeveria socialiste e Ramës në fakt nuk i ka hapur kurrë plotësisht “dosjet” e komunizmit dhe pengon seriozisht kërkimin historik dhe procesin e drejtësisë për krimet e diktaturës ku babai i tij ka qenë bashkëpërgjegjës, është e qartë se dosjet e mbledhura në këtë publikim arkitekture kanë pikërisht të njëjtin qëllim.

Ato synojnë të kontrollojnë narrativën.

Fatmirësisht, nuk mashtrojnë askënd.

Arkitektura në Shqipëri – ashtu siç ishte në Brukselin e shekullit XIX – është shndërruar në një mjet për të shtypur dhe nënshtruar popullsinë shqiptare: për të shkatërruar lagjet, fshatrat, plazhet dhe malet e tyre.

Arkitektura është bërë një mjet për të kontrolluar imazhin e Shqipërisë dhe liderit të saj të madh, ndërsa shkëlqimi i çdo kulle të re shërben për të penguar çdo kuptim real mbi pyetjet themelore: nga vijnë paratë, cili kriminel është i përfshirë dhe kush vallë do të jetë ndonjëherë në gjendje të përballojë jetesën aty.

Në fund të hyrjes, pasi mediton mbi “bastin demokratik të vendeve të reja për të jetuar”, “gjeometrinë e përkatësisë” dhe “bashkësinë e qëllimeve”, Rama shkruan:

"Hapja e dosjeve mund t’ju tregojë shumë më tepër. Dhe kush e di, ndoshta do të jetë një histori krejt tjetër nga ajo që sapo kam shkruar."

Në të vërtetë, në vend që të paraqesë një lloj rilindjeje arkitekturore, The Albanian Files ofron një listë emrash të nepotizmit, pastrimit të parave dhe korrupsionit shqiptar.

Citizens Channel, përmes punës së Erisa Kryeziut dhe Vjolanda Pecës, ka dokumentuar tashmë sesi ky publikim tregon për herë të parë shkallën e dëmit të shkaktuar mbi mjedisin natyror shqiptar, pasi konsultimet publike shmangen sistematikisht dhe pothuajse nuk ekziston asnjë informacion publik për shumicën e “investimeve strategjike”. Unë do të ndalem tek mënyra se si arkitektët duket se e shohin veten në gjithë këtë histori.

Libri nis me studion që e filloi gjithë këtë, belgët e 51N4E, të cilët kanë realizuar edhe kopertinën (dhe projekti i tyre për Sheshin Skënderbej quhet sistematikisht nga shumica e kontribuuesve “frymëzues”). Ajo që bëhet e qartë që në fillim nga kontributi i tyre është se ky libër është një akt fshehjeje dhe fiction-i, një instrument propagande që synon të prodhojë justifikime pasi faktet tashmë kanë ndodhur.

Për shembull, lista e projekteve të tyre fsheh faktin që ata projektuan varrin e Dritan Hoxha (“For D.H., 2008”), pronarit të ndjerë të Top Channel, i cili qëndron në origjinën e karrierës politike të Ramës. Lista gjithashtu nuk përfshin faktin që ata projektuan rezidencën private të Ramës (nëse nuk e kanë fshehur si “Mountain Collection”, 2004), dhe nuk përmend që veprat e tyre më politike, përfshirë Qendrën për Hapje dhe Dialog (2014) dhe Monumentin prej Bronzi për të vrarët gjatë protestës antiqeveritare të vitit 2011 (2012), nuk u njohën kurrë publikisht kur u ndërtuan. Në atë kohë, qeveria shqiptare thjesht refuzoi t’u tregonte qytetarëve se kush kishte “fituar” tenderin.

Puna e 51N4E u zbatua pa asnjë formë llogaridhënieje publike dhe deri më sot mbetet e paqartë sa ka përfituar realisht kjo kompani, e cila i siguroi edhe vajzës së Ramës, Rea Xhillari, një praktikë profesionale.

Edhe aspekte të tjera të projekteve kontroverse arkitekturore në Tiranë sqarohen. Për shembull, kur “Garden of Eden” i Studio Precht u ndërtua brenda Kryeministrisë, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, qeveria refuzoi të tregonte se cila ishte kompania ndërtuese.

Falë The Albanian Files, tani dimë se ajo ishte Fusha shpk, aktualisht e përfshirë në disa dosje të SPAK-ut, përfshirë tenderat për rindërtimin “frymëzues” të Sheshit Skënderbej.

E njëjta kompani shfaqet edhe diku tjetër. Gjatë protestave kundër shembjes së National Theatre of Albania në vitin 2018, arkitekti Bjarke Ingels refuzoi të tregonte emrin e zhvilluesit privat që e kishte kontraktuar, ndërkohë që qeveria Rama ishte e zënë duke hartuar legjislacion special për të falur tokën publike për zhvillim privat.

Dhe tani, në The Albanian Files, zbulojmë se lidhja e tij me Fusha shpk daton që në vitin 2015, shumë kohë përpara se të fillonim raportimin për projektin:

Gjatë vizitës sonë [në 2015], takuam njerëzit e Fusha shpk – kontraktori lokal që po punonte në Sheshin Skënderbej. Ramë dakord të ndiqnim së bashku një nga projektet publike që po afroheshin. Në vjeshtën e vitit 2017, nënshkruam një kontratë me Fusha për të projektuar një teatër si pjesë e një blloku urban me funksione të ndryshme.

Pyetja ime është: Pse ky informacion iu zbulua publikut danez që në vitin 2020, por nuk iu nda kurrë qytetarëve të Tiranës, të cilët për vite me radhë u mashtruan për fatin e Teatrit Kombëtar?

Do të doja shumë të dëgjoja nga Ingels kronologjinë e saktë të këtij “projekti publik” që kurrë nuk u bë publik, mundësisht përballë një komisioni parlamentar, nëse ai guxon ndonjëherë të shkelë përsëri në tokën shqiptare.

Pothuajse çdo kontribut në libër përmban ndonjë anekdotë se si kjo apo ajo studio mori një ftesë “të papritur”, “spontane” apo “befasuese” për të ardhur në Shqipëri, vetëm për të zbuluar më pas, ashtu si Ivanka Trump, një terra incognita plot vendas të bindur, “natyrë të paprekur” dhe “vende mahnitëse”.

Qëndrimi i përgjithshëm ndoshta ilustrohet më së miri nga ky strip komik në kontributin e Luca Dinit, ku një jaht gjigant përplaset me një kullë të lartë, me mbishkrimin vijues:

Arkitektët duhet ta paguajnë këtë krim që po i

Në të gjitha këto projekte, synimi ynë mbetet i njëjtë: të krijojmë hapësira që harmonizohen me mjedisin, si pranë detit ashtu edhe në zemër të qytetit, duke kombinuar bukurinë, artin dhe natyrën.

Ne po i marrim fjalët e tyre ashtu siç janë!

Ja disa shembuj të tjerë të arkitektëve të “befasuar”:

“Kryeministri Edi Rama më dërgoi një mesazh në Instagram, duke më pyetur nëse do të isha i interesuar të punoja në Shqipëri.” (Chris Precht, i cili projektoi Garden of Eden të Ramës)

“Të mërkurën, më 1 maj 2024, ditë pushimi, në orën 22:00, miku im Pablo Bofill më telefonoi për të më thënë se ‘Edi’ do të më telefononte. […] Brenda një kohe shumë të shkurtër na u kërkua të bënim dy projekte në Tiranë.” (Sam Chermayeff)

“Benedetta Tagliabue më shkroi duke më pyetur nëse isha dakord që numri im i kontaktit t’i jepej kryeministrit të Shqipërisë. I thashë, sigurisht. Pesë minuta më vonë u kontaktova nga kryeministri, i cili më pyeti nëse mund të vija në Tiranë për të diskutuar mundësinë e një projekti.” (Alejandro Aravena)

Si është kjo një mënyrë normale për të trajtuar prokurimin publik, apo në këtë rast, një projekt privat për një kullë gjigante? Cili është roli i kryeministrit shqiptar në sigurimin e arkitektëve ndërkombëtarë për zhvillues privatë? Çfarë politike ndiqet këtu? Është e qartë se herët a vonë, SPAK do të duhet të thërrasë kryeministrin për të dëshmuar për çdo projekt zhvillimi të pasurive të paluajtshme, pasi The Albanian Files ofron prova të qarta se ai është personalisht i përfshirë pothuajse në çdo projekt kullash apo zhvillim turistik. Të gjitha fijet çojnë tek ai.

Arkitektët, nga ana e tyre, e pranojnë këtë hapur dhe pa asnjë turp:

— “Projekti për Shqipërinë me vizionin dhe mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama është unik.” — (Álvaro Siza, i cili shkatërron plazhin e bukur të Ranës së Hedhun)

— “Kryeministri Edi Rama e ka vendosur arkitekturën në listën e prioriteteve të tij; ai merret me të në të vetmen mënyrë të mundshme – duke qenë personalisht i përfshirë.” — (Christian Kerez, i cili duket qartë se nuk ka dëgjuar kurrë për shtetin ligjor, por projekton një resort bregdetar në Shëngjin)

— “Shqipëria ka një lider të madh të interesuar për kulturën, artin dhe arkitekturën, gjë që çon në projekte vizionare dhe të orientuara drejt së ardhmes. Kjo sot fatkeqësisht është shumë e rrallë. Është një nder i madh të punosh me ekipin e kryeministrit […] një lider vizionar.” — (Archi-Tectonics, ka projektuar disa kulla në Tiranë)

— “Edhe me fleksibilitetin në rregullore, ekziston një vizion i qartë, që vjen nga kryeministri, për zhvillimin arkitektonik dhe urban të Shqipërisë.” — Arquitectura-G, ka projektuar disa kulla në Tiranë)

— “Projekti në Shqipëri që përbën shembull është vetë projekti i Kryeministrit Edi Rama për Shqipërinë […]. Për mua, kjo nga Kryeministri Edi Rama […] ofron motivim të mjaftueshëm për të vazhduar.” — (Camilo Rebelo, i cili po shkatërron pjesë të Parkut të Liqenit në Tiranë dhe zhvillon një masterplan “privat” për perlën bregdetare të Borshit)

— “Udhëheqja e Shqipërisë, veçanërisht kryeministri, demonstron një interes të jashtëzakonshëm dhe një kuptim të artit dhe arkitekturës. […] Me çdo projekt të përfunduar, qytetet e Shqipërisë dhe peizazhi i saj bëhen më të jetueshëm dhe më tërheqës.” — (Cebra, përgjegjëse për monstrozitetin absolut të quajtur Mount Tirana dhe “resortet” pranë Durrësit dhe Himarës)

— “Vepra më përfaqësuese është Projekti Shqiptar – një koleksion iniciativash që burojnë nga vizioni makro-artistik i Edi Ramës që në fillim të mijëvjeçarit.” — (Davide Macullo, përgjegjës për shkatërrimin e zonës liqenore të Farkës)

— “Ajo që e dallon Shqipërinë është hapja ndaj ideve të reja dhe gatishmëria për të marrë rreziqe. Besimi i Kryeministrit Edi Rama tek arkitektura si pjesë jetike e së ardhmes së vendit përcakton tonin, dhe ka një drejtpërdrejtësi freskuese në mënyrën si trajtohen projektet.” — (Winy Maas, mbi banalitetin e turpshëm të të cilit nuk do të komentoj më tej)

Megjithëse zërat shqiptarë mungojnë pothuajse krejtësisht në publikim, ata shfaqen shpesh si “partnerë lokalë”. Një nga më kryesorët është SON Architects, e njohur për marrëdhëniet historikisht të afërta me Bashkinë e Tiranës.

Përfshirja e tyre në disa prej projekteve të renditura në The Albanian Files do të ishte një pikënisje praktike për SPAK-un.

Gjejmë gjithashtu miq të vjetër të Ramës si Anri Sala (i lidhur me riprojektimin korruptiv të Sheshit Skënderbej nga 51N4E dhe Fusha – pres me interes dëshminë e tij) dhe Adrian Paci (i përfshirë me Kuehn Malvezza në ndërtesën Expo Albania dhe në një kullë të Taller Hector Barroso), edhe pse ky i fundit së fundmi, përballë protestave masive, është përpjekur publikisht të distancohet nga qeveria të cilës i ka shërbyer, me një lloj sallate fjalësh tipike të viteve 1980:

“Është e qartë që sot kërkohet një pakt i ri mes shoqërisë dhe elitës politike dhe kjo nevojë e fton klasën qeverisëse të bëjë një hap pas.”

Edhe të tjerë do të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë, ndërsa rezistenca kundër qeverisë Rama rritet. Por nuk duhet të harrojmë anën e kujt mbrojtën ata me mish e me shpirt dhe si përfituan prej saj.

Disa arkitektë shkojnë edhe më tej, dhe shprehin hapur përçmimin e tyre ndaj demokracisë dhe konsultimit publik, gjë që natyrisht përputhet plotësisht me mënyrën autokratike të qeverisjes së Ramës, i cili e sheh politikën si “pikturim të një kanavace”.

Kjo artikulohet ndoshta më qartë nga arkitekti Manuel Aires Mateus, i përfshirë në shkatërrimin bregdetar në Shëngjin, Sarandë, Ksamil dhe Vlorë:

“Ka raste kur gjërat duhet të vijnë nga lart-poshtë, kështu që kjo cilësi duhet imponuar për të krijuar atë nevojë që aktualisht nuk ekziston.”

Por ndoshta arkitekti që ka artikuluar më mirë paturpësinë absolute me të cilën secili prej tyre garon për hirin e kryeministrit është Reinier de Graaf nga firma prestigjioze holandeze OMA. Ironikisht, De Graaf së fundmi botoi një “manifest”, Architecture against Architecture, ku pyet:

“Çfarë mund të pengojë që strukturat ikonike të përfshihen në pastrim parash? Dhe pyetja jetike: cilat projekte duhet të refuzojnë arkitektët për arsye morale?”

De Graaf ka qenë mjaftueshëm i sjellshëm të na ofrojë një pjesë të përgjigjes së mundshme, përmes një letre që i shkroi Ramës, dhe që mendoi me vend ta publikonte në The Albanian Files:

"Nuk e them lehtë këtë, por për ne arkitektët do të ishte më mirë nëse zgjedhjet e ardhshme [në 2025] thjesht do të anuloheshin.

Do të shkoja edhe më tej. Duke qenë se Shqipëria vazhdon të jetë një sponsor i ndriçuar i arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do të vazhdonit si president i përjetshëm – ndoshta edhe Mbret. […] E di që ajo që po ju kërkoj nuk është një sakrificë e vogël, por është diçka me rëndësi madhore. Shpresoj ta konsideroni."

Nuk e kam të lehtë ta them këtë, por çdo arkitekt, zëri komprometues i të cilit është regjistruar në The Albanian Files, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë shqiptare, të mbështjellë me petkun më të hollë teorik. Ky publikim paraqet 750 faqe provash të falimentimit të tyre moral, përçmimit ndaj proceseve publike të menaxhuara siç duhet, urrejtjes ndaj mjedisit dhe injorancës ndaj shtetit ligjor.

Për hir të vetë arkitekturës, çfarëdo qeverie e ardhshme post-Rama që do të vijë – dhe nuk kam asnjë dyshim se do të vijë – duhet të kërkojë llogari nga secili prej këtyre njerëzve: çfarë dinin, me kë folën, paratë e kujt pranuan. Ata duhet të paguajnë.
Arkitektët duhet ta paguajnë këtë krim që po i

__________

Unë kontaktova çdo studio arkitekturore të përfshirë në libër, për t’u kërkuar reagim ndaj thirrjes së Reinier de Graaf për anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e monarkisë në Shqipëri.

Asnjë i vetëm nuk u përgjigj.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

32°c

KËMBIMI EURO

94.21

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI