Mediat amerikane raportuan këtë pasdite se artisti i njohur si Prince, ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare. Trupi i Prince u gjet në kompleksin e tij Paisley Park në Minnesota mëngjesin e së enjtes, shkruan TMZ. Burime të shumta konfirmuan vdekjen e artistit, ndërsa nga telefonatat në urgjencën 911 u raportua se bëhej fjalë për "një mashkull të shtrirë në tokë, që nuk merr frymë".
Këngëtari, emri i plotë i të cilit është Prince Rogers Nelson, bëri një ulje emergjence të avionit të tij privat më 15 prill në Illinois, për shkak se nuk ndihej mirë. Por, ai u shfaq në koncert të nesërmen, si për të qetësuar fansat se ishte më mirë. Stafi i tij ato ditë tha se Prince ishte ftohur, me grip.
Pavarësisht koncertit të tij të fundit, Prince kishte anuluar dy shfaqje të tjera më herët, për shkak të shëndetit jo të mirë.
Prince u shndërrua në yll ndërkombëtar në vitin 1982, pas suksesit të albumit me titull "1999". Në vazhdimësi, ai solli hite në muzikë duke u shpërblyer gjithsej me 7 çmime "Grammy". Gjithashtu në vitin 2007, Prince performoi në shfaqjen më të rëndësishme të televizionit amerikan Super Bowl 2007, duke dhuruar një prej performancave më madhështore ndonjëherë.
Ai ka shitur më shumë se 100 milion këngë gjatë karrierës së tij, dhe fitoi çmimin Oscar në vitin 1985 me krijimin "Purple Rain".