
Zvicra feston, eliminohet Kolumbia. Këto janë verdiktet e fundit të 1/8-ave të finales së Botërorit 2026, që na zbulojnë edhe kundërshtaren e Argjentinës: Messi dhe shokët e tij do të përballen me helvetët. Në përgjithësi luan më mirë Kolumbia, e cila shpërdoron edhe në kohën shtesë mundësinë për të kaluar në avantazh, por sfida nuk shkon përtej 0-0 dhe gjithçka vendoset me penallti. Sanchez (traversë) dhe Hernandez (pritje e Kobel) dënojnë “Los Cafeteros”, ndërsa Kobel e dërgon Zvicrën në çerekfinale.
Zvicra rikthehet mes tetë skuadrave më të mira të botës për herë të parë që nga viti 1954, ndërsa Kolumbia humbet mundësinë për të luajtur ndeshjen e revanshit ndaj Argjentinës. Helvetët triumfojnë me penallti 4-3 dhe kualifikohen në çerekfinale pas një ndeshjeje të ekuilibruar dhe jo shumë spektakolare, ku Ruben Vargas mposhti Camilo Vargas me penalltinë vendimtare.
Çfarë ndodhi në fushë?
“Los Cafeteros” e nisin menjëherë në sulm, por zviceranët mbyllin çdo hapësirë dhe bëhen të rrezikshëm në kundërsulm. Puerta provon Kobelin dhe Diaz krijon një rast të mirë, por mundësia më e pastër i takon Zvicrës: Rieder i shkon pranë golit të avantazhit. Kështu, pjesa e parë mbyllet 0-0, pas 45 minutash me pak emocione, dhe Yakin ndërhyn menjëherë: del nga fusha një Jashari i zbehtë, hyn Sow.
Ish-mesfushori i Eintracht Frankfurt i afrohet golit të avantazhit dhe Rieder konfirmohet si më i miri i skuadrës së tij, por me kalimin e minutave rritet edhe niveli i Kolumbisë. Diaz me shokë i afrohen sërish golit me Suarez, por Kobel blindon portën me një pritje të shkëlqyer. As Ndoye nuk arrin të thyejë ekuilibrin dhe ndeshja shkon në kohën shtesë, ku loja duket se anon në favor të “Los Cafeteros”.
Zvicra shpëton mirë në shtesa
Kolumbia godet traversën me Lucumí në minutën e 99-të, më pas krijon edhe dy raste shumë të mëdha me Diaz dhe Campaz: i pafalshëm gabimi i sulmuesit të Rosario Central në minutën e 114'. Zvicra mbrohet dhe luan për penalltitë, duke u bërë e rrezikshme vetëm me të sapofuturin Amdouni, dhe arrin qëllimin e saj.

Kështu gjithçka vendoset nga pika e bardhë, ku buzëqeshin helvetët: Akanji gabon (mbi traversë), por gabimet e Davinson Sanchez (traversë) dhe Cucho Hernandez (penallti e pritur) dënojnë Kolumbinë. Kobel e dërgon Zvicrën në çerekfinale pas 72 vitesh, ndërsa për Vargas nuk ka asgjë për të bërë, pasi mposhtet nga portieri me të njëjtin mbiemër. Kështu plotësohet edhe tabloja e çerekfinaleve: Francë–Marok, Spanjë–Belgjikë, Norvegji–Angli dhe Zvicër–Argjentinë.