
Një 25-vjeçar shqiptar, banues në Torino, është vrarë me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së dielës në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, Itali.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00, në një banesë në rikonstruksion, ku pronari, një 35-vjeçar italian, dyshohet se ka hasur një grup prej të paktën pesë personash në oborrin e shtëpisë.
Sipas rindërtimit paraprak të autoriteteve italiane, pronari ka dëgjuar zhurma jashtë banesës dhe ka dalë për të parë se çfarë po ndodhte. Ai ka marrë një pistoletë, të cilën e posedonte në mënyrë të ligjshme, dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të grupit.
Një prej plumbave ka goditur 25-vjeçarin shqiptar, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, i riu ndërroi jetë.

Pas të shtënave, pjesëtarët e tjerë të grupit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pronari ka njoftuar karabinierët dhe shërbimet e emergjencës.
Viktima është identifikuar si një i ri me origjinë shqiptare, rezident në Torino. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, ai kishte precedentë penalë. Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe lokalizimin e personave të tjerë që dyshohet se ndodheshin në grup.
Pronari nën hetim për vrasje
35-vjeçari italian, i cili hapi zjarr, është marrë në pyetje nga hetuesit dhe është nën hetim në gjendje të lirë për vrasje. Banesa ku ndodhi ngjarja është sekuestruar.

Hetimet drejtohen nga Prokuroria e Astit, ndërsa karabinierët po përpiqen të rindërtojnë me saktësi dinamikën e ngjarjes, numrin e personave që ndodheshin në oborr dhe rrethanat në të cilat u qëllua shqiptari.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje në Itali edhe rastin e argjendarit Mario Roggero, i dënuar përfundimisht me 14 vjet e 9 muaj burg për vrasjen e dy grabitësve gjatë një sulmi në biznesin e tij në vitin 2021, në Grinzane Cavour, po në provincën e Cuneos.