Flash

Vidhet nga muzeu i Metz banania e famshme e Cattelan

Lapsi.al 31 May 2026

Muzeu Pompidou në Metz të Francës njoftoi të dielën se kishte ngritur një padi kundër personave të panjohur pasi zbuloi vjedhjen e veprës "Komediani", banania e famshme e vënë në mur me shirit ngjitës e krijuar nga artisti 65-vjeçar Maurizio Cattelan. 

Për të festuar përvjetorin e saj të 15-të, Qendra Pompidou-Metz e thirri artistin italian për një ekspozitë, gjithashtu edhe në cilësinë e tij si kurator. Vjedhja, e cila ndodhi pasditen e së shtunës u zbulua nga një roje sigurie. Edhe pse banania zëvendësohet çdo 3 ditë, “vlera e veprës qëndron në certifikatën e saj të autenticitetit dhe protokollin që rregullon prezantimin e saj", sipas muzeut. 

Pra, nuk mjafton thjesht të zëvendësohen bananet. Në një deklaratë, muzeu, i cili gjithsesi e zëvendësoi frutin, "dënoi vjedhjen, e cila dëmton respektin që u takon veprave të ekspozuara".

E ideuar në vitin 2019, “Comedian” ka qenë shpesh shënjestër e akteve të ngjashme. Korrikun e kaluar një vizitor e hëngri frutin. Edhe në atë rast, me ironinë e tij të zakonshme, Cattelan shprehu zhgënjim që vizitori kishte ngrënë vetëm bananen dhe jo shiritin ngjitës që e mbante atë në mur.

Kjo banane e veçantë, nga e cila ekzistojnë tre shembuj të certifikuar, ka krijuar bujë që nga ekspozita e saj e parë në Art Basel Miami në vitin 2019. Me një çmim fillestar prej 120,000 dollarësh, "Comedian" vë në pikëpyetje konceptin e vlerës në art. Fama e saj është rritur edhe falë incidenteve si ky në Metz. 

Gjatë ekspozitës së saj të parë në Miami, interpretuesi David Datuna e hëngri bananen para vizitorëve, duke pretenduar se ishte i uritur. Në vitin 2024, sipërmarrësi i kriptomonedhave Justin Sun bleu një version të veprës për 5.2 milionë dollarë dhe dy ditë më vonë e konsumoi bananen para kamerave në Hong Kong: "Është shumë më e mirë se bananet e tjera", deklaroi ai pas kafshatës së tij të parë.

Cattelan është i njohur edhe për veprën e tij "Amerika", tualeti funksional prej ari 18 karatësh i ofruar simbolikisht Presidentit të SHBA-së Donald Trump. “Amerika” ishte gjithashtu në qendër të një vjedhjeje të bujshme në Mbretërinë e Bashkuar natën e 13-14 shtatorit 2019. Marsin e kaluar, një gjykatë shpalli dy burra fajtorë për vjedhjen. Vepra, e çmontuar dhe e shkrirë, nuk u gjet kurrë. ©LAPSI.al

Të këshilluara

Studimi: Këto ushqime të heqin mërzinë

Gjendja shpirtërore ka lidhje të pashmangshme me ushqyerjen. Të gjithë studiuesit janë të mendimit se ushqimet që ne hamë ndikojnë direkt në ndjenjat tona, ndaj këshillohet që të...

16:50

ide

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

91.94

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI