Flash

Vendimi në Itali: Hotelet mund t'ia mohojnë ujin e çesmes klientëve!

Lapsi.al 27 May 2026

Restorantet dhe hotelet në Itali nuk janë të detyruara t’u japin klientëve ujë çezme falas. Këtë e ka vulosur tashmë edhe Gjykata e Kasacionit, instanca më e lartë gjyqësore në Itali, me një vendim që është diskutuar shumë në Itali dhe që mund të shërbejë si precedent edhe për raste të ngjashme në të ardhmen. 

Çështja nisi pas padisë së një turisteje që kishte kaluar pushimet e Krishtlindjeve të vitit 2019 në hotelin luksoz Sassongher, një hotel me pesë yje në zonën turistike të Dolomiteve, në veri të Italisë. Gruaja kishte paguar mbi 5.700 euro për një paketë me mëngjes dhe darkë të përfshirë, por pa pijet.

Sipas padisë, gjatë darkave ajo kishte kërkuar ujë çezme, por hoteli kishte refuzuar t’ia shërbente. Në vend të tij, struktura i kishte ofruar vetëm ujë mineral në shishe, me çmimin 7 euro për shishe. Turistja kishte propozuar që të paguante edhe për ujin e rubinetit nëse ishte e nevojshme, por hoteli kishte refuzuar sërish.

Gruaja vendosi ta çonte çështjen në gjykatë dhe kërkoi rreth 2.763 euro dëmshpërblim. Në argumentet e saj, ajo pretendonte se uji është një e drejtë themelore njerëzore dhe se çdo klient që paguan për një hotel pret minimalisht të ketë mundësi të pijë ujë gjatë vakteve, ashtu siç pret të gjejë krevat, ngrohje apo sapun në banjë. Megjithatë, ajo humbi në të gjitha shkallët e gjykimit, deri edhe në Gjykatën e Kasacionit.

Sipas vendimit, ligji italian nuk i detyron restorantet apo hotelet të shërbejnë ujë çezme. Pra, nëse nuk është parashikuar ndryshe në kontratë ose në ofertën e hotelit, secili biznes vendos vetë nëse do ta ofrojë apo jo.

Avokati i hotelit argumentoi se disa struktura zgjedhin të mos shërbejnë ujë çezme për të shmangur çdo problem të mundshëm që lidhet me cilësinë apo sigurinë e ujit, ndaj preferojnë të përdorin vetëm ujë të ambalazhuar.

Kjo çështje prek një zakon shumë të përhapur sidomos te turistët e huaj, të cilët shpesh kërkojnë ujë çezme në restorante për të shmangur faturat e kripura të ujit mineral.

Debati është bërë edhe më i fortë për shkak të fenomenit të ashtuquajtur “coperto”, një tarifë shtesë që aplikohet në shumë restorante italiane vetëm për uljen në tavolinë dhe shërbimin bazë. Shumë turistë mendojnë se kjo tarifë duhet të përfshijë edhe ujin, por në praktikë nuk ndodh kështu.

Ekspertë të mbrojtjes së konsumatorit e kanë kritikuar vendimin, duke e quajtur paradoksale që restorantet promovojnë produkte “bio” apo “me kilometër zero”, pra ushqime lokale dhe ekologjike, ndërsa refuzojnë të japin ujë çezme falas, që konsiderohet zgjidhja më ekologjike.

Kritika ka pasur edhe ndaj ujit të mikrofiltruar, që shumë restorante italiane e reklamojnë si alternativë “ekologjike” ndaj shisheve plastike. Në realitet, sipas mediave italiane, ky ujë shpesh u faturohet klientëve me 2-3 euro për litër, edhe pse kostoja reale është minimale.

Ndryshe nga Italia, në disa vende europiane ofrimi i ujit falas është detyrim ligjor.

Në Francë, për shembull, restorantet duhet t’u japin klientëve ujë të pijshëm falas nëse ata porosisin ushqim apo pije të tjera. Në Spanjë, një ligj i vitit 2023 i detyron lokalet dhe hotelet t’u ofrojnë klientëve ujë çezme si alternativë ndaj ujit në shishe. E njëjta praktikë zbatohet edhe në Angli dhe Uells.

Të këshilluara

Studimi: Këto ushqime të heqin mërzinë

Gjendja shpirtërore ka lidhje të pashmangshme me ushqyerjen. Të gjithë studiuesit janë të mendimit se ushqimet që ne hamë ndikojnë direkt në ndjenjat tona, ndaj këshillohet që të...

16:50

Palma e Artë/ Rumuni Mungiu triumfon në Festivalin e Kanës

19 vite pas suksesit historik me “4 Muaj, 3 Javë dhe 2 Ditë”, rumuni Mungiu fiton sërish çmimin më të madh në Festivalin e Kanës me një film që trajton akuzat përplasjen kulturore mes emigrantëve lindorë dhe botës perendimore

14:28

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI