
Partia Demokratike ka kërkuar hetim urgjent për shantazhin mafioz të Edi Ramës ndaj Erion Veliajt, duke deklarua se ky i fundit është kërcënuar me 100 vite burg në këmbim të dorëzimit të Bashkisë së Tiranës.
Në një deklaratë për mediat, PD i referohet letrës së publikuar nga Erion Veliaj në rrjetet sociale. Sipas tekstit në letër, pas transferimit në burgun e Fierit, kryeministri Rama i ka dërguar në qeli ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, për t'i kërkuar të dorëzojë Bashkinë e Tiranës te Arbër Hajdari, në të kundërt do të përballej me një dënim prej 100 vitesh burg për prishje të rendit kushtetues dhe financim të ‘Flamingove’.
PD e cilëson këtë episod si dëshmi të asaj që e quan fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe shpreh shqetësimin për sigurinë e Veliajt në burgun e Fierit. Ky rast ngre pikëpyetje edhe për rolin e SPAK-ut, të cilin PD e akuzon se po përdoret si instrument shantazhi në përplasjet brenda mazhorancës.
"Sot mediat publikuan letrën nga burgu të Erion Veliajt, në të cilën ai shkruan se, pas transferimit në burgun e Fierit, Edi Rama i ka dërguar atij në qeli Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe i ka kërkuar të dorëzojë bashkinë te hajduti i damkosur Arbër Hajdari, ose të përballet me 100 vjet burg për prishje të rendit kushtetues dhe financim të ‘Flamingove’.
Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se: Kërcënimet mafioze ndaj të burgosurit Erion Veliaj janë dëshmi e fytyrës së vërtetë prej kreu të organizatës kriminale (padrino) të Edi Ramës.
Kërcënimi mafioz i të burgosurit Erion Veliaj nga kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Xhelati, dëshmon se jeta e të burgosurit Erion Veliaj në burgun e Fierit është në rrezik tejet serioz.
Ky akt skandaloz dëshmon se SPAK-u nuk po përdoret më si kërbaç vetëm për opozitën dhe mburojë për të korruptuarit, por, më keq akoma, si instrument shantazhi i luftës brenda llojit të bandës në pushtet.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe kërcënimin në qeli të të burgosurit Erion Veliaj dhe kërkon hetim urgjent për këtë akt kriminal të Edi Ramës, Toni Gogut, si dhe të hajdutit të damkosur Arbër Hajdari, që kërkon të marrë në rrugë antiligjore dhe antikushtetuese Bashkinë e Tiranës" - thuhet në reagimin e PD-së. /LAPSI.al