Flash

13 vite në pushtet/ Rama: Kemi nisur vlerësimin e drejtuesve të institucioneve

Lapsi.al 2 November 2026

13 vite në pushtet/ Rama: Kemi nisur vlerësimin e drejtuesve të

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Administratës Publike, Adea Pirdeni, prezantuan sot “Shkallën e meritës”, planin e ri të transformimit dhe vlerësimit të administratës publike.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se meritokracia nuk duhet të jetë vetëm një kërkesë që shteti u drejton punonjësve, por edhe një garanci që ai duhet t’u ofrojë atyre, duke siguruar që puna e mirë të vlerësohet dhe aftësia të jetë kusht i panegociueshëm për avancimin në karrierë.

“Së dyti, te përparimi gjatë karrierës, meritokracia. Flitet shumë për meritokracinë. Ka shumë ankesa dhe ka shumë thellësi ndjesie se nuk ka meritokraci. Por meritokracia nuk duhet të jetë vetëm një kërkesë që shteti i bën punonjësit, por duhet të jetë dhe garancia që shteti i jep atij. Duke afirmuar në vazhdimësi se puna e mirë njihet dhe se aftësia është kusht i panegociueshëm për ngjitjen në shkallë të karrierës”, tha Rama.

Rama u ndal edhe tek vlerësimi i drejtuesve të institucioneve publike. Kreu i qeverisë bëri të ditur se rreth 10 ditë më parë ka nisur një proces vlerësimi për drejtuesit e disa institucioneve që ofrojnë shërbime drejtpërdrejt për qytetarët.

Sipas Ramës, ky proces nuk synon thjesht ndryshimin e emrave në krye të institucioneve, por identifikimin e rezultateve konkrete dhe dallimin mes drejtimit që prodhon përmirësime dhe atij që mbetet në rutinë apo krijon kosto për imazhin e institucioneve shtetërore.

“Së treti, te drejtimi. Këtu do jemi dhe më kërkues, kjo lidhet dhe me një çështje që ka marrë rëndësi speciale në zhvillimet e fundit: përgjegjësinë për drejtimin e institucioneve. 10 ditë më parë, drejtues të një numri institucionesh që ofrojnë shërbime drejtpërdrejt për qytetarët, janë nënshtruar një procesi vlerësimi të rezultateve në punë. Kjo nuk është aspak një lëvizje e panatyrshme, as një garë për të parë sa drejtues largohen nga detyra dhe as një ushtrim për të ndryshuar emra në krye të institucioneve apo hiq Colin dhe sill Lolin. Është një kërkesë për të parë me një sy më kritik se ku drejtimi ka prodhuar rezultate dhe ku ka prodhuar vetëm rutinë, ose më keq akoma, kosto për imazhin e institucioneve të shtetit”, tha Rama.

Sipas tij, aty ku evidentohen probleme të përsëritura dhe mungesë rezultatesh, do të ketë pasoja, ndërsa drejtuesit që kanë treguar përvojë dhe rezultate pozitive duhet të vlerësohen dhe të mbrohen.

“Aty ku ka profesionalizëm dhe rezultate, ato duhen njohur dhe duhen mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja, pa cenuar kapacitetet dhe pa ndërprerë asnjë moment punën në shërbim të qytetarëve, por edhe procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ky proces dhe shkalla e meritës bashkohen në një parim: drejtimi i institucionit nuk mund të jetë një privilegj i shkëputur nga rezultatet dhe llogaridhënia nuk mund të fillojë vetëm kur problemet fillojnë dhe bëhen publike. Ajo duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të shtetit”, tha Rama.

Rama tha se krijimi i Ministrisë së Administratës Publike synon t’i japë një adresë të qartë institucionale menaxhimit të kapitalit njerëzor të Republikës së Shqipërisë.

“Krijimi i Ministrisë së Administratës Publike i jep kësaj përgjegjësie për menaxhimin e mirë të kapitalit njerëzor të Republikës së Shqipërisë një adresë të qartë institucionale. Kjo duhet të jetë një ministri që do të vijojë punën reformuese, nisur tashmë me reformën në administratë, ndërtimin e saj, me organizimin dhe funksionimin e institucioneve, me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, me mirëqeverisjen dhe me llogaridhënien”, tha Rama.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

90.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI