
Irani ka lëshuar raketa drejt Jordanisë, duke shënjestruar edhe bazën ajrore Muwaffaq Salti, ku ndodhen forca amerikane. Sulme janë raportuar gjithashtu në drejtim të zonës së Akabës. Gjatë natës janë dëgjuar disa shpërthime në pjesë të ndryshme të vendit. Ushtria jordaneze njoftoi se rrëzoi tetë raketa që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore. Një zyrtar amerikan, i cituar nga Fox News, tha se pothuajse të gjitha raketat e drejtuara ndaj objektivave amerikane u interceptuan dhe deri tani nuk janë raportuar dëme të konsiderueshme.
Sulmi dyshohet se ishte përgjigje ndaj një operacioni amerikan në ishullin iranian Larak. Teherani pretendon se SHBA goditi dy lëshues raketash të Gardës Revolucionare, ndërsa CENTCOM deklaroi se kishte ndërmarrë “veprime të kufizuara dhe të sakta” ndaj mjeteve që përbënin kërcënim në Ngushticën e Hormuzit.
Tensionet janë zgjeruar edhe drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Garda Revolucionare mori përgjegjësinë për një sulm me dhjetëra dronë ndaj zonës së bazës ajrore Al Minhad, ku ndodhen trupa dhe mjete ushtarake amerikane. Sulmet shënojnë një tjetër përshkallëzim të përplasjes mes Iranit dhe SHBA-së, e cila po prek gjithnjë e më shumë vende të rajonit.