
Në podkastin me Rudina Xhungën, Kryeministri Edi Rama foli për ish-zëvendësin e tij, tashmë në arrati, Arben Ahmetaj. Duke mos e fshehur zhgënjimin, Rama nuk i kurseu shigjetimet ndaj tij.
“Në rastin që përmendet, unë kisha investuar në një maskë karnavalesh, jo në një aset publik për t’u besuar. Se nëse pastaj del që burimi njerëzor ku ke investuar është i ndotur, dhe njeriu që ti ke parë ka qenë një maskë karnavalesh, atëherë është e dhimbshme, por është fakt” – tha Rama për Ahmetajn pa ia përmendur emrin.
Pranoi se SPAK kishte gjetur shkelje në rastin e inceneratorëve, por mohoi që kjo të kishte rënduar buxhetin e shtetit.
“Deri tani s’kam parë ndonjë dorë në buxhetin e shtetit të provuar në gjyq me fakte; akuza po, disa elementë shumë të dukshëm abuzimi për mua dhe për ne në dosjen e sjellë nga SPAK-u për inceneratorët, po, por në buxhet të shtetit ende nuk kam parë ndonjë gjë domethënëse.
Po të nisem nga akuzat dhe t’i përdor si argument për të mos e vendosur dikë në detyrë apo ta shkarkoj direkt, duhej të shkarkoja veten time nga mëngjesi deri në darkë, aq shumë sa më akuzojnë mua. Dhe kjo më ka bërë të besoj se edhe të tjerët akuzohen padrejtësisht si unë”, - u shpreh ai. ©LAPSI.al