
Sa e fortë do të ishte Anglia me Erling Haaland në sulm? Kjo pyetje nuk është thjesht një ushtrim imagjinate në prag të përballjes çerekfinale të Botërorit ndaj Norvegjisë. Ka qenë një moment kur sulmuesi skandinav mund të kishte veshur fanellën e “Tre Luanëve”.
Historia e tij është një rast tipik i “dyerve që hapen dhe mbyllen” (sliding doors), i atyre rastësive të fatit që mund të ndryshojnë rrënjësisht rrjedhën e jetës. Rruga e sulmuesit mori një drejtim tjetër kur babai i tij, Alf-Inge Haaland, pësoi një dëmtim të rëndë që i dha fund para kohe karrierës si futbollist. Në atë kohë, Erlingu i vogël ishte vetëm 3 vjeç. Ai u kthye në vendlindjen e familjes, në Bryne të Norvegjisë, dhe aty nisi rrugëtimin që do ta shndërronte në një nga golashënuesit më të frikshëm në botë.
Pse Haaland mund të kishte luajtur për Anglinë?
Në realitet, nuk ka pasur kurrë një mundësi konkrete që Haaland të luante për kombëtaren angleze, por mjafton të shohësh të kaluarën e tij për të kuptuar se sa shumë ndikoi fati në zgjedhjen e tij. Erling Haaland ndihet si në shtëpi në Mançester, te City dhe në Angli. Ai lindi në Leeds në korrik të vitit 2000, në kohën kur babai i tij luante në Premier League fillimisht me Leeds United dhe më pas me Manchester City.
Në vitin 2003, gjatë një derbi ndaj Manchester United, babai i tij u përplas ashpër nga Roy Keane. Ai pësoi një ndërhyrje të rëndë që i dëmtoi gjurin dhe ndikoi në fundin e karrierës së tij si futbollist. Megjithatë, vetë Alf-Inge ka shpjeguar shpesh se arsyeja kryesore që e detyroi të varte përfundimisht këpucët ishte problemi me gjurin tjetër, atë të majtin. Më pas erdhi kthimi në shtëpi. Pa më futboll në Angli, familja u rikthye në Norvegji. Aty Haaland u rrit, ndoqi shkollat norvegjeze, nisi të luante me Bryne dhe më pas bëri të gjithë rrugëtimin në ekipet kombëtare të moshave, deri te kombëtarja e parë ku debutoi në vitin 2019. Pikërisht për këtë arsye, për të ishte gjithmonë natyrale të përfaqësonte Norvegjinë.
“Kam jetuar në Angli për tre vjet e gjysmë ose katër vite, por kam jetuar në Norvegji për shumë më gjatë, kështu që për mua ishte natyrale të zgjidhja Norvegjinë. Kush e di… nëse babai im do të kishte luajtur më gjatë në Angli, ndoshta sot do të isha anglez! Por unë jam norvegjez dhe jam krenar për këtë.”
Rregullorja e FIFA-s për ndryshimin e kombëtares
Nuk ka pasur asnjëherë një mundësi reale që Haaland të ndryshonte mendje dhe të kalonte te një tjetër kombëtare. Kjo ide nuk e ka tunduar as kur ai kishte mundësinë për të marrë pasaportën angleze. Gjithsesi, edhe nëse do ta kishte menduar një ndryshim të tillë, rregullat e FIFA-s do ta bënin pothuajse të pamundur. Që nga viti 2021 ka pasur disa lehtësime në rregullore, por Haaland, pasi ka luajtur shumë ndeshje zyrtare me Norvegjinë para moshës 21-vjeçare, përfshirë edhe kompeticione ndërkombëtare, është lidhur përfundimisht me përfaqësuesen skandinave. Kështu, një nga sulmuesit më të mirë të brezit të tij do të vazhdojë të shkruajë historinë me fanellën e Norvegjisë.