
Një kompleks i ri rezidencial i ndërtuar nga Republika Popullore e Kinës në kryeqytetin shqiptar po afron drejt përfundimit, duke sinjalizuar atë që ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare e konsiderojnë një zgjerim simbolik dhe praktik të pranisë kineze në Shqipëri.
Projekti, i vendosur në rrugën “Sali Butka” në Tiranë, përfshin një godinë tetëkatëshe dhe objekte ndihmëse të rrethuara me masa të forta sigurie. Sipas lejes së ndërtimit të miratuar nga Bashkia e Tiranës në fund të vitit 2023, kompleksi pritet të shërbejë për akomodimin e diplomatëve dhe stafit të ambasadës kineze.
Ambasada kineze nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN lidhur me arsyet dhe funksionin e projektit.
Për banorët e zonës, ndërtimi përfaqëson kryesisht një transformim urban të një hapësire të lënë pas dore prej vitesh. Disa prej tyre thonë se investimi ka sjellë më shumë aktivitet ekonomik dhe përmirësim të infrastrukturës, ndërsa të tjerë shprehin shqetësime për ndikimin që masat e sigurisë mund të kenë në jetën e përditshme.
“Këtu më parë ishte bosh dhe e pashfrytëzuar. Tani zona duket më e zhvilluar dhe ka më shumë lëvizje,” tha administratorja e një biznesi pranë kompleksit.
Megjithatë, ekspertët argumentojnë se rëndësia e projektit shkon përtej ndikimit lokal.
Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), tha se ndërtimi i rezidencave diplomatike është praktikë normale, por në rastin e Kinës duhet parë në kontekstin e strategjisë më të gjerë të Pekinit për të zgjeruar praninë e tij ndërkombëtare.
Ajo thekson se Kina nuk vepron vetëm përmes investimeve apo marrëdhënieve zyrtare diplomatike, por edhe përmes diplomacisë publike, shkëmbimeve kulturore e akademike, medias dhe narrativave që synojnë të projektojnë një imazh pozitiv të Kinës si partnere zhvillimi, fuqi globale e qëndrueshme dhe model efikas qeverisjeje.
“Në këtë kuptim, rezidenca nuk duhet parë e shkëputur nga zhvillimet e fundit në politikën e jashtme kineze,” tha Bino.
“Kina po përpiqet të pozicionohet si aktor qendror në çështje të zhvillimit, sigurisë, teknologjisë, inteligjencës artificiale, hapësirës kibernetike dhe qeverisjes globale,” shtoi ajo.
Ajo e vlerëson praninë diplomatike fizike në vende të vogla si Shqipëria si pjesë të një pranie më të gjerë politike, simbolike dhe narrative.
Sipas Binos, kjo ka të bëjë me ndikimin gradual: me mënyrën se si prania diplomatike, kulturore, mediatike dhe akademike mund të kontribuojë në ndërtimin e perceptimeve pozitive për Kinën dhe modelin e saj.
“Nevojitet debat publik i informuar, transparencë institucionale dhe aftësi për të vlerësuar ndikimin e aktorëve të huaj jo vetëm në ekonomi apo diplomaci, por edhe në hapësirën informative dhe demokratike të vendit,” sugjeron Bino.
Kina dhe Shqipëria ndajnë një histori të veçantë marrëdhëniesh, që arritën kulmin gjatë viteve 1960 dhe 1970, kur Tirana u shndërrua në aleatin më të afërt të Pekinit në Europë pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Në atë periudhë, Shqipëria mbështeti aktivisht interesat diplomatike të Kinës në arenën ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet për përfaqësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
Megjithatë, afrimi i Kinës me Shtetet e Bashkuara pas vizitës historike të presidentit amerikan Richard Nixon në Pekin në vitin 1972 shkaktoi tensione me regjimin komunist të Enver Hoxhës. Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan gradualisht deri në ndërprerjen e ndihmës ekonomike dhe politike kineze në vitin 1978.
Pas rënies së komunizmit, Tirana dhe Pekini rivendosën marrëdhëniet dhe zgjeruan bashkëpunimin ekonomik. Gjatë tre dekadave të fundit, Kina është kthyer në një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, me investime dhe interesa në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, vlerëson se projekti reflekton më shumë interesin e Kinës për të ruajtur dhe zgjeruar hapësirën e saj të ndikimit sesa ndonjë ndryshim të menjëhershëm në marrëdhëniet dypalëshe.
Krisafi vë në dukje se ndikimi i Kinës në Shqipëri është zbehur gjatë viteve të fundit, pavarësisht interesit të vazhdueshëm të Pekinit për të thelluar bashkëpunimin dypalësh.
Sipas tij, Tirana ka ndjekur një qasje të kujdesshme ndaj Kinës, duke ruajtur marrëdhënie korrekte diplomatike dhe ekonomike, por pa zhvilluar lidhje të ngushta strategjike për shkak të orientimit të saj euroatlantik.
Ai theksoi se zgjerimi i pranisë fizike të Kinës në vend, përmes investimeve në infrastrukturë diplomatike, nuk pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe për sa kohë që qeveria shqiptare vijon të mbajë të njëjtën linjë politike.
“Tregon dëshirën e Kinës për më shumë bashkëpunim, sidomos ekonomik,” tha studiuesi.
“Vjen edhe si pasojë e shtimit të pranisë së aktorëve nga Lindja e Mesme, si Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari në Shqipëri, gjë që mund ta bëjë Kinën të humbasë edhe më shumë terren,” përfundoi Krisafi. /Birn