Flash

Kush është Snezhana Paunoviç, ministrja e Vuçiçit që ëndërron spastrimin etnik të Kosovës

Ndërsa një ministre e qeverisë serbe flet për “spastrimin etnik” të Kosovës, Shqipëria zyrtare hesht: kush është Snezhana Paunoviç

Lapsi.al 14 July 2026

Nëse Snezhana Paunoviç do të kishte qenë një zë periferik i nacionalizmit serb apo një aktiviste në skajet e politikës së Beogradit, deklarata e saj për spastrimin etnik të Kosovës do të harrohej si guri i radhës që hedh budallai në lumë. Çështja është se ajo përfaqëson qeverinë e Serbisë dhe është një nga figurat e rëndësishme të Partisë Socialiste të Serbisë, pjesë e një establishmenti politik ende jeton me vitet e Sllobodan Millosheviçit, pavarësisht paketimit të europian.

Deklarata e Paunoviç se, po të kishte qenë në vend të Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998” mbetet një dritare e hapur mbi mënyrën se si pushteti në Serbi vazhdon ta perceptojë Kosovën, si një territor nga i cili popullsia shqiptare duhet larguar.

Snezhana Paunoviç fillimisht u shpreh në Kurir Tv se: “Po të kisha qenë Slobodan Miloševiçi, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”. Më pas u përpoq ta paraqiste qëndrimin e saj si diçka më pak kriminal, duke sqaruar se nuk kishte dashur të thoshte se shqiptarët duhej të vriteshin, por se ata që nuk e ndienin veten pjesë të Serbisë duhej të shkonin në “shtetin e tyre amë”.

Por ky shpjegim nuk e zbut qëndrimin e një antari të kabinetit qeveritar serb. Paunoviç thjesht artikulon thelbin e spastrimit etnik, trajtimin e një popullsie si diçka  të huaj, mohimi i lidhjes me territorin dhe largimin mbi bazën e përkatësisë etnike.

Nuk ka shumë rëndësi se si ministrja serbe e imagjinon dëbimin e popullsisë... me trena, me kamionë, me polici apo çfarëdo. Idetë e saj mbeten kriminale.

Nga Peja në qeverinë e Beogradit

Paunoviç ka lindur në Pejë në vitin 1975. Ajo është ekonomiste dhe anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që prej vitit 1992, në kohën kur kjo parti drejtohej nga Millosheviçi dhe ishte instrumenti politik i regjimit që udhëhoqi Serbinë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Karriera e saj është e lidhur ngushtë me Kosovën dhe me strukturat serbe që Beogradi ka mbajtur atje edhe pas luftës. Për disa vite ajo ka qenë koordinatore e strukturave komunale serbe për Gjakovën dhe Deçanin dhe ka drejtuar institucione paralele serbe të lidhura me Pejën.

Pra, për Paunoviçin Kosova është pjesë e kapitalit të saj politik. Ajo i përket brezit të politikanëve serbë që e kanë ndërtuar karrierën mbi kujtesën e humbjes së Kosovës, mbi zhvendosjen e serbëve pas luftës dhe mbi bindjen se historia i ka trajtuar ata padrejtësisht.

Pse është Paunoviç në qeverinë e Vuçiçit

Snezhana Paunoviç vjen nga Partia Socialiste e Serbisë, e drejtuar nga Ivica Daçiç. Prej vitit 2012, socialistët janë partnerët më të qëndrueshëm të Vuçiçit dhe një nga kolonat e pushtetit të tij.

Marrëdhënia mes SNS-së dhe SPS-së është një marrëveshje e pastër për pushtet. Socialistët e Daçiçit sjellin votat e një elektorati nostalgjik ndaj Serbisë së vjetër. Në këmbim marrin ministri, ndërmarrje publike dhe ndikim në ekonomi.

Emërimi i Paunoviçit në qeveri është pjesë e kësaj formule. Ajo ka qenë kryetare e grupit parlamentar të SPS-së, nënkryetare e Kuvendit dhe një nga figurat më të dukshme të partisë. Përfaqëson njëkohësisht edhe simbolikën e “serbëve nga Kosova”, një kategori që pushteti i Beogradit e përdor vazhdimisht për të forcuar legjitimitetin e politikës së tij ndaj Prishtinës.

Edhe më domethënës ishte reagimi i kreut të SPS, Ivica Daçiç njëkohësisht ministër i Brendshëm i Serbisë që nuk e dënoi Paunoviçin. Ai e mbrojti, duke përsëritur argumentin se shqiptarët që nuk e ndiejnë Serbinë si shtetin e tyre mund të shkojnë në Shqipëri.

Nëse Paunoviç do të ishte distancuar nga partia, deklarata mund të paraqitej si një shpërthim personal. Por kur kreu i SPS-së dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të qeverisë i ofron mbrojtje politike, atëherë ajo është shprehje një kulture më të gjerë.

Heshtja e qeverisë shqiptare për Paunoviç

Në një demokraci funksionale, një ministre e kabinetit që deklaron se do të kishte dëbuar një popullsi mbi bazë etnike, do të largohej nga detyra brenda ditës. Në Serbi, ajo u mbrojt nga kreu i partisë së saj dhe ministër i Brendshëm. Ndërkohë, Aleksandër Vuçiç që është qendra e pushtetit në Serbi, ka heshtur.

Por një heshtje tjetër bie më shumë në sy. është heshtja e qeverisë Rama në Tiranë. Reagimet e para ishin periferike. Në Partinë Socialiste kanë reaguar emra të mënjanuar nga pushteti si Elisa Spiropali, ish-ministre e jashtme apo Pandeli Majko, ish-kryeministër. Edhe Partia Demokratike në opozitë kërkoi shpalljen non-grata të Paunoviçit, duke denoncuar faktin që Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk ka guxuar të reagojë.

Kryeministri Edi Rama ndërkohë është në Paris, për Ditën e Bastijes. Në të njëjtin aktivitet është presidenti serb, Aleksandër Vuçiç 

Rama nuk duket aspak i shqetësuar për idetë kriminale që gëlojnë në qeverinë e Serbisë, aty ku nuk e kanë aspak problem të diskutojnë publikisht për spastrimin e gjysmës së kombit shqiptar.

Përkundrazi kryeministri i Shqipërisë, si një sonambul preferon t'u flasë serbëve në Euroneës Serbia, se si ai dhe Aleksandër Vuçiç na paskëshin qenë dy gjeni të keqkuptuar për Ballkanin e Hapur, se sa e shkëlqyer kishte qenë kjo ide, që do të afronte më pranë shqiptarë dhe serbë.

“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye; se unë dhe Vuçiç ishim pas saj. Nëse do të hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me, të themi, pesë të tjerë, do të konsiderohej një ide e shkëlqyer. Kështu funksionon gjithçka në Ballkan”, deklaron sot Edi Rama në intervistën për Euroneës Serbia./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Protesta që e mplaku qeverisjen Rama

Kjo protestë ka nxjerrë në pah se qeverisja dhe kryeministri aktual janë vjetërsira politike që transformojnë demokracinë në sundim. Është i njëjti model i vjetër politik që privatizon pushtetin publik për interesa personale, që i reduktion partitë politike, parlamentin dhe ekzekutivin në zgjatime të vullnetit të liderit

10:41 Blendi Kajsiu

Pse ngjalli frikë fushata kundër oligarkëve të Ramës

“Revolucioni i flamingove” e tronditi mënyrën e të menduarit të shoqërisë. Sot të jesh një nga njerëzit që përfiton nga autokrati, nuk shihesh më si një burrë i nderuar, por rrezikon të bëhesh një personazh i urryer. Këtë dëshmoi vala e reagimit kundër milionerëve të oborrit të Ramës

14:15 Andi Bushati

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

93.73

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI