
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se vendi po e shqyrton mundësinë për ta përdorur gazin e lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara në të ardhmen, mes thirrjeve të vazhdueshme për t’iu bashkuar projektit të aleatit të vet më të madh për furnizim me LNG.
Kurti i bëri këto komente gjatë vendosjes së gur themelit për ndërtimin e një parku solar me kapacitet prej 105 megavatesh në Rahovec, në jugperëndim të vendit.
“Për të ardhmen, synojmë përdorimin e thëngjillit në mënyrë më të përgjegjshme me theks të veçantë të gazifikimi i tij, dhe po e shqyrtojmë mundësinë për ta përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha Kurti.
Qeveria në detyrë është përballur me thirrje të vazhdueshme, nga Ambasada amerikane në Prishtinë e deri tek odat ekonomike në vend dhe opozita, për të hyrë në projektet e gazit amerikan.
Në fund të qershorit, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nguli këmbë se Kosova nuk është kundër gazit të lëngëzuar amerikan, dhe shtoi se vendi do ta trajtonte këtë çështje “me shumë seriozitet”.
Ngjashëm sikurse Kurti të mërkurën, edhe Rizvanolli kishte thënë se Qeveria në detyrë e sheh gazifikimin e thëngjillit si mundësi më të mirë se furnizimin me LNG-në amerikane.
Megjithatë, kjo është hera që Kurti apo kushdo qoftë nga qeveria e tij thonë se po e shqyrtojnë thirrjen e aleatit kryesor të Kosovës për t’u furnizuar me LGN-në amerikane.
Në Kosovë 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga thëngjilli, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli.
Por, vendi varet nga importi gjithashtu, posaçërisht në kohët e pikut të dimrit dhe verës.
Ndërkohë, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëruan rishtazi se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së rrezikon të kenë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Në disa raste, Oda Ekonomike Amerikane ka argumentuar se përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të projektit amerikan do të rriste sigurinë energjetike, do të diversifikonte burimet e furnizimit dhe do ta bënte vendin më tërheqës për investime.
Debati është intensifikuar edhe pasi e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka publikuar në fillim të qershorit një opinion, ku i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në një partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes gazit amerikan.
Njohësit e zhvillimeve që ndërlidhen me energjetikën në Kosovë vlerësojnë se SHBA-ja po bën përpjekje që t’i mos i lërë vendet e Ballkanit Perëndimor të cenueshme përballë ndikimit rus dhe ndikimeve tjera në sektorin e energjisë.
Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit.
Në mesin e tyre Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. Rishtazi është nënshkruar një projekt i madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse./REL