
Princi Harry ka zbuluar një nga rregullat që ai dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, kanë vendosur në martesën e tyre: të mos qëndrojnë më shumë se 10 ditë larg njëri-tjetrit dhe fëmijëve të tyre.
Duka i Sussex-it tha se një nga gjërat më të rëndësishme për të është koha që kalon me familjen, veçanërisht me dy fëmijët e tyre, Princin Archie dhe Princeshën Lilibet.
“Faktori më i rëndësishëm për mua është energjia, gëzimi dhe lumturia që marr kur jam me familjen time, veçanërisht me fëmijët, si edhe kënaqësia që marr duke qenë i angazhuar me punën time”, tha Harry në episodin e ri të MasterClass, “Redefining Grief: Building Resilience Through Loss”.
“Mendoj se çelësi për të gjetur ekuilibrin mes punës, gëzimit dhe lumturisë është të mos qëndroj më shumë se 10 ditë larg bashkëshortes dhe fëmijëve të mi”, shtoi ai.
Harry shpjegoi se përpiqet të gjejë një ekuilibër mes punës, qëllimit të saj dhe rolit të tij si bashkëshort dhe baba.
“Bëhet fjalë për të balancuar punën dhe qëllimin pas saj, duke qenë njëkohësisht baba dhe bashkëshort”, tha ai.
Gjatë intervistës, Harry foli edhe për një periudhë të vështirë emocionale që përjetoi pasi ai, Meghan dhe djali i tyre, Archie, u larguan nga Britania e Madhe në fund të vitit 2019.
Ai tregoi se pasi u zhvendosën në Kanada, përjetoi një rënie të fortë emocionale.
“Duke qenë në Kanada, larg atij ambienti stresues, ku trupi im me sa duket ishte vazhdimisht i mbushur me adrenalinë, pas dy ose tre ditësh përjetova një rënie të madhe të adrenalinës. Ishte diçka që nuk e kisha përjetuar më parë”, rrëfeu Harry.
Ai tha se në atë periudhë kuptoi se kishte nevojë për stres dhe adrenalinë që të mund të funksiononte normalisht.
“E kuptova se kisha nevojë për stres që adrenalina të më ndihmonte të funksionoja, sepse në shtëpi u bëra i paaftë për të bërë gjërat më të zakonshme”, tha ai.
Harry shtoi se për rreth dy javë ra në depresion dhe ndjeu se nuk mund të funksiononte pa atë ndjesinë e adrenalinës.
Harry dhe Meghan u martuan në maj të vitit 2018. Një vit më vonë mirëpritën djalin e tyre, Archie, ndërsa në qershor 2021 lindi vajza e tyre, Lilibet.
Në janar 2020, çifti njoftoi se do të tërhiqej nga detyrat si anëtarë të familjes mbretërore dhe do të ndërtonte një jetë të re jashtë saj.
Gjashtë vjet pas largimit nga familja mbretërore, Harry dhe familja e tij janë rikthyer për të jetuar në Britaninë e Madhe. Sipas raportimeve, vendimi lidhet edhe me dëshirën e çiftit për të qenë më pranë babait të Harry-t, Mbretit Charles III, i cili po përballet me probleme shëndetësore.