
Deputetja e Partisë Socialiste Elisa Spiropali bëri kritika të forta ndaj reformës territoriale në fjalimin e saj në Kuvend. Pas saj foli kreu i PD-së Sali Berisha që e sfidoi Spiropalin që kritikat e saj t’i shoqërojë me votë kundër reformës ndryshe kjo është hipokrizi.
“Shqetësimi i zonjës është shumë serioz. Njeriu që paraqet, tani të quajturën reformë, është një bashkëpunëtor me “Eco Tiranën” i një organizate, i Ndraghetës.
Ky njeri, për 7 vite në “Eco Tirana”, ka përvetësuar, shpërdoruar nga 2017-ta në 2023-shin, qindra e qindra milionë euro dhe Tirana çdo vit është bërë më e pistë.
Nuk kam asgjë tjetër veçse të ftoj që fjalën që mbajtët ta shoqëroni me qëndrimin në votë, se përndryshe do regjistrohet me gërmat më të zeza si fjala më hipokrite në historinë e parlamentit” – tha Berisha. ©LAPSI.al