
Një incident ka ndodhur gjatë një interviste të kryeministrit Edi Rama me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, për platformën mediatike “Channel 5”.
Sipas asaj që raporton vetëm kjo platformë në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare ka ndërprerë bisedën dhe ka braktisur në mënyrë të papritur intervistën përpara përfundimit të saj, sipas asaj që vetë Channel5 ka zbuluar.
Sipas tyre tensionet kanë nisur kur Callaghan ka drejtuar pyetje të drejtpërdrejta dhe të forta lidhur me çështje sensitive. Intervista po fokusohej mbi investigimet e zgjeruara për korrupsionin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës në Shqipëri.
Situata është rënduar më tej kur gazetari amerikan ka pyetur kryeministrin Rama mbi lidhjet e tij duke përmendur specifikisht marrëdhëniet e tij me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe projektet e tij në bregdetin shqiptar.
"Kryeministri shqiptar Edi Rama largohet nga intervista me Andrew Callaghan të "Channel 5", në mes të hetimeve të gjera për korrupsion, pastrim parash, trafik droge dhe marrëdhënien e tij të biznesit me Jared Kushnerin. Intervista e plotë do të publikohet javën e ardhshme" - shkruan kjo platformë. /LAPSI.al