
Në Oslo e kanë quajtur diaspora e të pasurve norvegjezë që largohen nga fjordet për t’u strehuar në Zvicër, për të ruajtur pasurinë dhe për ta mbrojtur nga taksat. Dhe mes “manjatëve” që përfitojnë nga normat (shumë) më të ulëta tatimore në Alpe është edhe Erling Haaland, idhull në atdhe për golat që e çojnë Norvegjinë në Botëror dhe që feston me “viking row”, por që e ndan vendin për shkak të largimit të kapitaleve jashtë. Jo i vetëm, por bashkë me familjen. Nga lind polemika? Sulmuesi nuk është evazor: jeton dhe punon në Angli (banon në një vilë në Cheshire) si futbollist i Manchester City-t dhe paguan rregullisht detyrimet ndaj shtetit britanik mbi pagën e tij të majme (mbi 30 milionë euro në vit). Strategjia pasurore e familjes, ndërkaq, shërben për të menaxhuar pjesën më të madhe të të ardhurave që vijnë nga një qarkullim total prej 100 milionë dollarësh (rreth 90 milionë euro).
Dhe është pikërisht kjo lëvizje e zgjuar e babait Alf-Inge që ka ndezur debatin: ai u transferua në Andermatt të Zvicrës dhe themeloi një seri kompanish të ndërlidhura me seli në Luksemburg. Bëhet fjalë për një planifikim krejtësisht të ligjshëm, për sa kohë respektohen të gjitha rregullat mbi rezidencën fiskale.
Strategjia fiskale: ndarja e të ardhurave sportive nga pasuria familjare
Vendimi i Alf-Inge Haaland nuk lidhet drejtpërdrejt me kontratën e të birit me Manchester City-n, por me dëshirën për të administruar një pasuri tashmë mbi 100 milionë dollarë (rreth 90 milionë euro) dhe të destinuar të rritet më tej, e “kërcënuar” megjithatë nga taksa mbi pasurinë. Në Norvegji, një person shumë i pasur i nënshtrohet një taksimi të konsiderueshëm, përveç tatimit mbi të ardhurat që, për më të pasurit, ka norma shumë të larta.

Në kantonin Uri, përkundrazi, taksa mbi pasurinë ekziston, por është shumë më e ulët, ashtu si edhe tatimi mbi të ardhurat. Duke transferuar rezidencën fiskale në Zvicër, ky mekanizëm mund të shmanget, duke e bërë më fleksibël menaxhimin e pasurisë familjare.
Pika qendrore e këtij planifikimi është dallimi mes parave të fituara nga Haaland si futbollist dhe pasurisë së grumbulluar nga familja përmes aktiviteteve sipërmarrëse. Për menaxhimin e këtyre burimeve, babai i bomberit ka krijuar një strukturë ndërkombëtare kompanish, e përbërë nga një shoqëri mëmë (në Luksemburg) që zotëron aksione në kompani të tjera të kontrolluara, të përfshira në aktivitete biznesi.
Në krye të kësaj piramide janë Alf-Inge Haaland dhe ish-futbollisti norvegjez Egil Ostenstad, i emëruar drejtor financiar. Sistemi lejon përqendrimin e pjesëmarrjeve, investimeve dhe aktiviteteve tregtare nën një drejtim të vetëm, duke ndarë menaxhimin e pasurisë nga të ardhurat sportive të gjeneruara drejtpërdrejt nga Erling Haaland.
Çfarë parashikon legjislacioni norvegjez për ata që largohen nga vendi
Transferimi i rezidencës fiskale lejohet, por Norvegjia ushtron kontrolle shumë të rrepta. Ndër aspektet më të rëndësishme janë: periudha gjatë së cilës tatimpaguesi mund të vazhdojë të konsiderohet rezident fiskal në Norvegji nëse ruan lidhje të forta me vendin; taksa e daljes (Exit Tax) mbi fitimet kapitale të parealizuara, e futur për të kufizuar largimin e pasurive të mëdha; dhe detyrimi për të provuar se transferimi është real e jo thjesht formal. Në thelb, babai i Haaland duhet të jetojë vërtet në Zvicër për pjesën më të madhe të vitit dhe aty të përqendrojë qendrën e interesave të tij personale dhe ekonomike.
A është gjithçka e ligjshme? Po. Zgjedhja e familjes Haaland bën pjesë në të ashtuquajturin planifikim fiskal ndërkombëtar, pra në përdorimin e normave të parashikuara nga legjislacionet e shteteve të ndryshme për të organizuar pasurinë në mënyrën më efikase, duke ndarë aktivitetin sportiv nga menaxhimi i pasurisë.