Flash

Dhuna në Zvërnec/ Shfaqet edhe ministri i Brendshëm me kritika ndaj policisë

Lapsi.al 31 May 2026

Teksa qeveria po përpiqet të shuajë me shpejtësi dhunën dje në Zvërnec, pas pamjeve ku rojet private godasin dhe marrin zvarrë një protestues ndërsa policia rri e bën sehir, në mbrojtje të versionit zyrtar ka dalë edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Kur situata është veçanërisht e sikletshme për qeverinë, sepse projekti në Zvërnec lidhet me një investim ku është përfshirë familja Trump, dhe pamjet e dhunës ndaj protestuesve mund ta kthejnë këtë histori nga një skandal lokal në lajm ndërkombëtar, ministri Lamallari ndërton një reagim kundër policisë private dhe policisë Vlorë. 

Në reagimin e tij, Lamallari ndalet fillimisht te debati mbi pronësinë e tokës ku parashikohet projekti në Zvërnec. Sipas tij, bëhet fjalë për pronë private dhe qeveria nuk ka falur tokë.

“1. Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare as ka falur tokë, as ka tokë për të falur - jo vetëm sepse ne nuk i kemi falur ndonjëherë tokë askujt, po edhe sepse në këtë rast ajo pronë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë, vite përpara sesa ne të vinim në qeveri.”

Megjithatë, ministri pranon se fakti që prona është private nuk u jep rojeve private të drejtën të përdorin forcë ndaj qytetarëve. Ai kërkon ndjekje penale për personat e përfshirë dhe hetim administrativ për kompaninë e sigurisë.

“2. Po nëse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen po edhe për kompaninë e tyre  hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur.”

Lamallari ka përshëndetur edhe vendimin e Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe nisjen e hetimit për zinxhirin e komandimit. Sipas tij, përveç sjelljes së rojeve private, e papranueshme ishte edhe indiferenca e policisë që ishte e pranishme në vend.

“3. E përshëndes reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend.

Goditja brenda radhëve të Policisë së Shtetit, që nisi në Sarandë dhe ka vazhduar në Vlorë, do të jetë një konstante e punës së strukturave tona në këtë kapitull të ri të drejtimit të tyre. Uniformat blu janë dhe duhet të jenë në çdo rast, garante të rendit ligjor, ku mbrojtja e pronës publike apo private janë një pjesë thelbësore. Por po ashtu ato duhet të garantojnë edhe  pacënueshmërinë e besimit të qytetarëve tek uniforma e policisë, prandaj çdo devijim nga këto parime do të goditet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave drejtuese të policisë dhe të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.”

Incidenti në Zvërnec shkaktoi reagime të forta publike, pasi pamjet e shpërndara nga protesta treguan momentin kur rojet private përdorën dhunë ndaj një protestuesi, ndërsa policia e pranishme në zonë nuk ndërhyri për ta ndaluar situatën. ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Analiza/ Pse Perëndimi mbyll sytë për cenimin e demokracisë në Shqipërinë e Ramës

Në këmbim të besueshmërisë gjeopolitike, bashkëpunimit për emigrantët dhe kontrollit të kufijve, kryeqytetet perëndimore kanë toleruar centralizimin e pushtetit nga kryeministri. “Revolucioni Flamingo” ka vënë në pikëpyetje një pakt që rrezikon të nxisë pikërisht paqëndrueshmërinë që supozohej të parandalonte.

21:01 Gianluca Eramo

Me sytë katër

PAPARAZZI