
Bad Bunny arrin një tjetër sukses të madh me paraqitjen e tij në Super Bowl LX. Performanca e artistit portorikan ka siguruar 9 kandidime për çmimet Emmy, duke u bërë halftime show me numrin më të lartë të vlerësimeve në historinë e këtij eventi.
Një prej tyre është në kategorinë "Outstanding Variety Special (Live)", ku ai do të përballet me transmetimet e disa prej ceremonive më prestigjioze, përfshirë Golden Globe Awards, Grammy Awards, Oscars dhe Tony Awards.
Bad Bunny, emri i vërtetë i të cilit është Benito Antonio Martínez Ocasio, është vlerësuar si interpretuesi kryesor dhe si producent i këtij projekti. Ai ndan këtë arritje me producentët ekzekutivë Shawn Carter (Jay-Z), Desiree Perez, Jesse Collins dhe Noah Assad, si dhe me Dave Meyers, Jody Kolozsvari, Jana Fleishman, Darren Pfeffer, Chelsea Gonnering dhe John Kilgore.
Kjo shënon herën e shtatë radhazi që një spektakël i Super Bowl përfshihet në garën për këtë çmim. Deri më tani, vetëm shfaqja e vitit 2022, me Dr. Dre, Snoop Dogg, Mary J. Blige, Eminem, Kendrick Lamar dhe 50 Cent, ka arritur të triumfojë në këtë kategori.
Ky sukses vjen pas një periudhe të jashtëzakonshme për Bad Bunny. Më herët gjatë vitit, ai fitoi tre çmime Grammy, përfshirë Albumin e Vitit dhe Best Música Urbana Album për Debí Tirar Más Fotos, si edhe çmimin Best Global Music Performance për këngën "EOO".
Me fitoren në kategorinë Albumi i Vitit, Debí Tirar Más Fotos u bë albumi i parë në një gjuhë tjetër përveç anglishtes që fitoi çmimin më të rëndësishëm të Recording Academy.