
Bonnie Tyler, këngëtarja e famshme e hitit “Total Eclipse of the Heart”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga familja dhe ekipi i saj, të cilët njoftuan se artistja u nda nga jeta më 8 korrik në një spital në Portugali, pas një sëmundjeje për të cilën po trajtohej. Ata kërkuan privatësi për të përballuar këtë humbje.
“Familja dhe ekipi i Bonnie janë të shkatërruar të njoftojnë se ajo u nda nga jeta papritur mbrëmjen e kaluar në spitalin në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po trajtohej”, thuhej në deklaratë.
Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës ishte Gaynor Sullivan, kishte pasur probleme serioze shëndetësore që prej muajit maj, kur u dërgua me urgjencë në një spital në Faro të Portugalisë për një ndërhyrje kirurgjikale në zorrë.
Pas operacionit, ajo u vendos përkohësisht në koma të induktuar për të ndihmuar procesin e rikuperimit. Më vonë doli nga koma, por gjendja e saj mbeti e rëndë dhe ajo qëndroi në kujdes intensiv për disa javë. Shkaku i saktë i vdekjes nuk është bërë ende publik.
Bonnie Tyler u bë një nga zërat më të njohur të muzikës ndërkombëtare, veçanërisht pas suksesit të jashtëzakonshëm të këngës “Total Eclipse of the Heart” në vitin 1983. Kënga, e shkruar dhe prodhuar nga Jim Steinman, e ktheu atë në një yll botëror dhe i solli një nominim për çmimin Grammy.
Gjatë karrierës së saj mbi pesë dekada, Tyler publikoi 18 albume në studio dhe solli shumë hite të tjera, përfshirë “It’s a Heartache” dhe “Holding Out for a Hero”.