Flash

Argjentina gjen në fushë shishen e Pickford me shënimet për penalltitë: Messi e lexon dhe qesh

Në qendër të vëmendjes përfundoi shishja e portierit anglez Jordan Pickford, mbi të cilën ishte vendosur një letër me të gjitha shënimet për gjuajtësit argjentinas në rast se ndeshja do të shkonte te penalltitë.

Lapsi.al 16 July 2026

Argjentina siguroi finalen e Botërorit 2026 me një përmbysje legjendare ndaj Anglisë, por pas ndeshjes në “Mercedes-Benz Stadium” të Atlantës ndodhi një episod që pritet të bëjë shumë bujë. Në qendër të vëmendjes përfundoi shishja e portierit anglez Jordan Pickford, mbi të cilën ishte vendosur një letër me të gjitha shënimet për gjuajtësit argjentinas në rast se ndeshja do të shkonte te penalltitë.

Zbulimin e bëri masazhatori historik i Albicelestes, Marcelo “Daddy” D’Andrea. Teksa lojtarët festonin kualifikimin para tifozëve të tyre, D’Andrea hasi në shishen e lënë në fushë nga portieri anglez dhe ia çoi menjëherë Lionel Messit, Nicolás González dhe pjesëtarëve të tjerë të skuadrës.

Shishja e Pickford me listën e futbollistëve të Argjentinës

Pamjet, të filmuara nga kamerat e TyC Sports, u bënë menjëherë virale. Messi e vështroi me kujdes fletën, duke u përpjekur të kuptonte shënimet e shkruara në anglisht për gjuajtësit argjentinas. Për disa sekonda kapiteni u duk i hutuar, duke u konsultuar me shokët për të deshifruar kuptimin e tyre.

Zbulimi tërhoqi menjëherë vëmendjen e Messit dhe bashkëlojtarëve të tij, të etur për të kuptuar përmbajtjen e shënimeve. Nicolás González vuri re emrat e gjuajtësve të mundshëm: “Shiko, je ti, Messi, Lautaro dhe Julián, janë të gjithë të shkruar këtu”. Fizioterapisti Marcelo “Daddy” D’Andrea konfirmoi: “Po, janë të gjithë”. Messi pyeti: “Po çfarë shkruhet?” dhe në atë moment ndërhyri Senesi: “Shkruhet se ku duhet ta çosh topin”. Kapiteni e kuptoi menjëherë: “Po flet për portierin?” dhe përgjigjja ishte: “Po, shkruhet ta lëvizësh majtas dhe pastaj të gjuash djathtas”. Messi e mbylli me një buzëqeshje: “Pra i ka studiuar penalltitë”.

Shishja e portierit anglez përmbante informacionet që stafi i Anglisë kishte mbledhur mbi zakonet e gjuajtësve të mundshëm argjentinas: anën e preferuar të goditjes, zgjidhjet më të përdorura dhe detaje të tjera për të rritur mundësinë e pritjes në rast penalltish. Disa orë më vonë, edhe përgatitësi atletik i Argjentinës, Luis Martín, e ushqeu debatin duke publikuar në rrjetet sociale një foto nga afër të shishes dhe fletës. Komenti ishte një thumbim i qartë ndaj anglezëve: “Më vjen keq, nuk kishim të njëjtin plan, mik.”

Episodi ngjalli shumë kureshtje, por nuk është aspak një risi në futbollin ndërkombëtar. Pickford, si të gjithë portierët, prej vitesh përgatit me kujdes seritë e penalltive duke përdorur shënime personale mbi karakteristikat e gjuajtësve kundërshtarë.

Shënimet e Pickford për penalltitë dhe thumbimi nga Argjentina

Në prag të gjysmëfinales, vetë portieri kishte deklaruar se Anglia ishte gati për çdo skenar: “90 minuta, 120 minuta ose penallti”. Në fund, megjithatë, plani i përgatitur për serinë nga pika e bardhë nuk u vu kurrë në zbatim. Ndeshja e Atlantës u vendos në minutat e fundit. Pas avantazhit anglez të shënuar nga Gordon në minutën e 55', Argjentina përmbysi gjithçka. Në minutën e 85' Lionel Messi ekzekutoi shpejt një goditje këndi duke gjetur Enzo Fernández, i cili me një goditje të saktë mposhti Pickford për 1-1. Në minutat shtesë ishte sërish Messi ai që shpiku aksionin vendimtar, duke harkuar një top perfekt në shtyllën e dytë, të cilin Lautaro Martínez e dërgoi me kokë në rrjetë për 2-1 përfundimtar.

Deri në atë moment Pickford kishte qenë një nga më të mirët në fushë. Portieri i Everton kishte mohuar golin e Julián Álvarez me një pritje të bukur dhe më pas kishte shpëtuar sërish Anglinë duke devijuar mbi vijë një goditje me kokë të Nicolás González: ndërhyrje që e mbajtën në lojë skuadrën e Thomas Tuchel deri në përmbysjen e pabesueshme të Argjentinës.

Pavarësisht tensionit të krijuar gjatë ndeshjes, të karakterizuar edhe nga disa përplasje dhe gjeste provokuese – mes tyre festa e Pickford pas golit të avantazhit të përkohshëm të Anglisë dhe përgjigjja e mëvonshme e Cristian Romero – fundi u karakterizua nga respekti reciprok. Messi, në fakt, pas ndeshjes iu afrua personalisht si Harry Kane ashtu edhe vetë Pickford për t’i përshëndetur.

Të këshilluara

ide

Rënia e Vlorës në shtratin e krimit

Vlora nuk është as dardhë e as pjeshkë që dikush e ha pas shpinës së kryeminstrit. Ajo është ilustrimi më eklatant se si vetë Edi Rama i ka vënë institucionet e vendit në shërbim të pushtetit të tij, që në thelb është pushteti i krimit

14:48 Armand Shkullaku

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

91.46

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI