
Finalja e Botërorit 2026 do të jetë Spanjë–Argjentinë. "Albiceleste" përmbys 2-1 Anglinë në gjysmëfinalen e zhvilluar në Atlanta dhe siguron biletën për ndeshjen që do të vendosë titullin botëror. Në aktin final do të përballen Kampionët në fuqi të Botës me Kampionët në fuqi të Evropës. "Tre Luanët" kalojnë në avantazh me Gordon (55') dhe ëndërrojnë surprizën e madhe, por Enzo Fernandez (85') dhe Lautaro Martinez (92') përmbysin gjithçka. Lionel Messi është vendimtar me dy asistime.
Mercedes-Benz Stadium në Atlanta mirëpret gjysmëfinalen e dytë të Botërorit 2026, Angli–Argjentinë, një nga rivalitetet më të zjarrta në historinë e Kupës së Botës. Kjo konfirmohet që në minutat e para të takimit, kur intensiteti dhe rivaliteti në fushë arrijnë nivele shumë të larta. Veçanërisht agresivë janë lojtarët e Argjentinës, por edhe "Tre Luanët" nuk tërhiqen nga duelet fizike. Të dyja skuadrat e kanë të vështirë të ndërtojnë lojën. Në stadiumin që për vite me radhë ishte shtëpia e Matt Ryan (MVP i NFL-së në vitin 2016 me Atlanta Falcons), Harry Kane përpiqet të marrë rolin e një "quarterback"-u, duke u tërhequr disa herë në mesfushë për të aktivizuar shokët e skuadrës me pasimet e tij të sakta. Rasti më i mirë i Anglisë vjen nga një goditje dënimi e Reece James, e ndalur nga "Dibu" Martinez. Tifozët argjentinas ngrihen në këmbë pas një aksioni spektakolar të Messit, i cili kalon mes tre lojtarëve anglezë përpara se të ndalet me faull nga Anderson. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, pavarësisht një goditjeje të rrezikshme nga distanca të Enzo Fernandez.
Në fillim të pjesës së dytë është Julian Alvarez ai që vë menjëherë në provë Pickford me një goditje të rrezikshme me të djathtën. Më pas, në minutën e 55', Anglia kalon papritur në avantazh. Pas një pasimi të gjatë të Kane, Rogers harkon në shtyllën e dytë për Gordon, i cili i shpëton mbrojtësit Molina dhe dërgon topin në rrjetë për 1-0 në favor të "Tre Luanëve".
Pak minuta më vonë, Spence rezulton vendimtar duke ndalur Giuliano Simeone, i cili po hynte i vetëm në zonë. Mbrojtësi, ish-lojtar i Genoa, ndërhyn me një rrëshqitje sa të rrezikshme, aq edhe perfekte. Po aq i rëndësishëm është edhe ndërhyrja paraprirëse e Stones ndaj Tagliafico në minutën e 66', ndërsa trajneri Lionel Scaloni hedh në fushë Nico Gonzalez. Pikërisht sulmuesi i Juventusit godet saktë me kokë pas një krosimi të shkëlqyer të Messit, por Pickford bën një pritje të jashtëzakonshme, duke e larguar topin mbi vijën fatale.
Në minutën e 76' është shtylla që i mohon barazimin Mac Allister, në momentin më të mirë të ndeshjes për kampionët në fuqi të botës. Messi krijon vazhdimisht raste, ndërsa shokët e skuadrës përpiqen t'i konkretizojnë, me Argjentinën që ushtron presion të vazhdueshëm ndaj portës angleze. Në minutën e 81' hyn në fushë Lautaro Martinez, ndërsa katër minuta më vonë vjen barazimi. Enzo Fernandez shënon në minutën e 85' me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, pas asistit të Messit, duke mposhtur Pickford. Mac Allister godet edhe një herë shtyllën, por Messi përfiton nga topi i kthyer dhe i jep një tjetër asist Lautaro Martinez, i cili në minutën e 92' shënon golin e pabesueshëm të fitores 2-1 për Argjentinën.
Ky është goli që vendos ndeshjen dhe dërgon Argjentinën në finale. Kampionët në fuqi të Botës do të mbrojnë kurorën e tyre përballë Kampionëve në fuqi të Evropës, Spanjës, të dielën, më 19 korrik, në New York New Jersey Stadium në East Rutherford.