
Inteligjenca artificiale po hyn në një fazë të re të përdorimit në magazina, ndërsa katër tendenca kryesore pritet të transformojnë mënyrën e menaxhimit të mallrave, inventarit dhe fuqisë punëtore.
Kompania e kërkimit dhe analizës Gratner vlerëson se sektori i magazinimit ka arritur një pikë kthese në zbatimin e AI-së. Ky zhvillim po nxitet nga mungesa e fuqisë punëtore, modelet e reja të investimeve me rrezik më të ulët dhe zhvllimi i teknologjive të inteligjencës artificiale dhe automatizimit.
Gartner identifikon katër tendenca: AI tradicionale e avancuar për optimizim, AI gjeneruese e orientuar drejt operacioneve, agjentët sugjerues dhe gjysmëautonomë, si dhe agjentët fizikë të AI-së.
Kategoria e parë përdor të dhëna në kohë reale dhe algoritme më të avancuara për parashikimin e kërkesës, planifikimin e fuqisë punëtore, optimizimin e rrugëve dhe menaxhimin e inventarit. Sipas Gartner, këto sisteme mund të përmirësojnë përdorimin e burimeve dhe të ulin kostot.
Tendenca e dytë lidhet me AI-në gjeneruese, e cila mund të përpunojë të dhëna të strukturuara dhe të pastrukturuara për të krijuar udhëzime pune, procedura operative dhe informacione që ndihmojnë në marrjen më të shpejtë të vendimeve.
Një tjetër zhvillim janë agjentët sugjerues dhe gjysmëautonomë. Ata mund të analizojnë të dhënat, të rekomandojnë veprime dhe të realizojnë pjesërisht procese me disa hapa, duke ruajtur mbikëqyrjen njerëzore në vendimet kryesore.
Kategoria e katërt janë agjentët fizikë të AI-së, të cilët ndërthurin inteligjencën artificiale, robotikën dhe sensorët e avancuar. Këto sisteme mund të automatizojnë procese fizike në magazina, përfshirë përzgjedhjen, paketimin, klasifikimin dhe lëvizjen e mallrave.
Federica Stufano, analiste e lartë në Gartner, thotë se këto katër tendenca janë të ndërlidhura dhe tregojnë evolucionin drejt magazinave më inteligjente, të adaptueshme dhe më rezistente.
Sipas saj, kompanitë po kalojnë nga eksperimentimi me AI-në drejt përdorimit të saj në operacionet e përditshme. Gartner rekomandon që drejtuesit e zinxhirëve të furnizimit të nisin me përdorime të provuara të teknologjisë dhe të zgjerojnë gradualisht AI-në gjeneruese dhe agjentët inteligjentë, duke ruajtur mbikëqyrjen njerëzore.