Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në Fllakë të Durrësit ditën e sotme. Paraprakisht bëhet me dije se një 16-vjeçar teksa drejtonte një automjet në aksin rrugor Fllakë-Bisht Kamëz ka përplasur një këmbësor që deklarohet se ka humbur jetën në vendin e aksidentit. Ndërkaq drejtuesi 16-vjeçar i mjetit nuk ka dëmtime shëndetësore, teksa nuk kishte as leje drejtimi. Makina që drejtonte i mituri ka përfunduar në ujë.
Mjeti ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë duke aksidentuar peshkatarin amator dhe përfunduar në ligatinë. Mësohet viktima ka qenë peshkatar amator që po gjuante peshk në ligatinën e Fllakës. Në vendngjarje ka mbërritur policia e cila po kryen veprimet procedurale dhe ka kontrolluar në kanalin buzë rrugës nëse ka edhe të dëmtuar të tjerë nga ky aksident.