Një 46-vjeçar është arrestuar nga policia e Matit, pasi kishte kultivuar kanabis në fshatin Rreth Baz. I riu Dhimitër Gjinaj u kap në flagrancë teksa po kujdesej për lëndët narkotike që kishte kultivuar.
Po ashtu, policia njofton se ka vënë nën hetim për shpërdorim detyre kryeplakun e fshatit.
“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera kundër kultivimit të bimëve narkotike, Komisariati i policisë Mat finalizoi operacionin policor të koduar “End”. Në kuadër të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Rreth Baz, i cili u kap në flagrancë teksa kujdesej për bimët narkotike që kishte mbjellë në pyllin e fshatit ku banonte.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin R. D., kryetar i fshatit Rreth Baz. Asgjësohen nëpërmjet djegies dhjetëra bimë narkotike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. ”, njoftoi policia.