Ambasadorja amerikane ka reaguar pas deklaratës së kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu. Gjatë një tubimi në Dibër, Mziu u tha mbështetësve se ata që do të tentojnë të blejnë votën, do e pësojnë si ata në Elbasan. Më pas Mziu kërkoi falje për fjalët e thëna, duke shprehur keqardhje dhe pendesë. Duke vlerësuar ndjesën e Mziut, ambasadorja theksoi se ngjarja e Elbasanit nuk duhet të përsëritet.
“Më vjen mirë që pashë një kërkesë faljeje të pastër nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë stemën e çdo partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të shkuarës, një e shkuar e shëmtuar të cilën të gjithë ne duhet ta refuzojmë”, shkruan ambasadorja amerikane në Twitter.