Katër persona janë arrestuar në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e djeshme, rreth orës 12:30, në Mirditë. Banorët e Zall Gjocajt dolën në protestë pasi kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it në këtë zonë. Mësohet se janë vënë në pranga Besnik Paci, 48 vjeç, banues në Lezhë, organizatori i protestës së paligjshme; Etnik Berisha, 22 vjeç, Endrit Bytyqi, 21 vjeç dhe Çlirim Gerbeshi, 22 vjeç, banues në Kosovë. Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 shtetas të tjerë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve.