Disa shkarkime arbitrare nga puna janë dashur që i gjithë aeroporti 'Nënë Tereza' të dalë jashtë funksioni.
Që prej mëngjesit të sotëm, në Rinas nuk ulet e nuk ngrihet asnjë avion. Kjo për shkak se të gjithë kontrollorët, stafi që merret me ulje-ngritjen dhe udhëzimin e avionëve, ka braktisur punën. Kjo situatë parashikohet të vijojë deri në orën 10:00 të ditës së nesërme.
Edhe ndërhyrja e ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, nuk ka bindur 65 kontrollorët të kthehen në punë.
Greva, sado e paimagjinueshme të duket, duke qënë se momentalisht Shqipëria është jashtë networkut internacional të fluturimeve, ishte njoftuar që prej ditës së djeshme.
Kontrollorët e kishin bërë shumë të qartë shqetësimin e tyre.
“Kemi qenë 5 punonjës që kemi plotësuar deklaratën e paaftësisë për punë. Pasi e kemi plotësuar, jemi telefonuar që të rikthehemi sërish në punë. Për 3 nga punonjësit u dha verbalisht pushim nga puna, ndërsa për 2 të tjerë erdhi shkresa zyrtare. Nga ana procedurale në rast se një punëtor është i paaftë për punë nuk duhet të paraqitet në punë” – u shpreh një prej punonjësve të Albcontrol, e cila shtoi se të gjithë kontrollorët janë të bashkuar dhe të vendosur që t’i shkojnë kësaj çështje deri në fund.
Aktiviteti është pezulluar në Rinas dhe pritet të mos ketë asnjë ulje-ngritje avionësh pasi s’ka punonjës në kulla për të kontrolluar. Madje edhe tek mbikalimet nuk do të ketë punonjës për të njoftuar nëse është qielli i lirë për avionët apo jo.
Greva nisi pasi punonjësit patën firmosur deklaratën e paaftësisë së përkohshme për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë në punë, ndikuar edhe nga pandemia, por u pushuan nga puna për atë akt.
Pas negociimit të dështuar me kontrollorët grevistë, ministrja Balluku doli në një konferencë për media, çuditshëm duke mos folur për shkarkimet nga puna, por duke thënë se kjo është një lëvizje politike me Sali Berishën nga prapa që pengon ardhjen e vaksinave, dhe se qeveria nuk ka përgjegjësi për rrogat e kontrollorëve.

Belinda Balluku e quajti grevën e 68 punonjësve të Albcotrollit të paligjshme, në shkelje të kodit të punës. Ministrja akuzoi politikën se po organizon një grevë të paligjshme duke bllokuar edhe ardhjen e vaksinave, të cilat duhet të vinin sot:
“Kjo është një fushatë elektorale për të prishur imazhin e vendit. Nëse dikush ëshët i sëmurë nuk kthehet dot në vend, për shkak se punonjësit marrin 2900 dollarë dhe jo 4 000 euro. Personat që kanë vdekur dhe duan të varrosen në vend, nuk do të vijnë dot sepse nuk do Sali Berisha” - u shpreh Balluku.
Sipas ministres, qeveria nuk ka asnjë lidhje me pagat e kompanisë së monitorimit të trafikut ajror, Albcontroll. Ajto shtoi se pagat e kontrollorëve përcaktohen nga të ardhurat e krijuara nga vetë kompania në bazë të trafikut ajror, dhe në një marrëveshje me AITA.
“Këto paga nuk janë të lidhura me buxhetin e shtetit, por vendosen në marrëveshje mes AITA dhe ofruesit të navigimit ajror, Albcontroll”, u shpreh ministrja.
Belinda Balluku tha kontrollorët i kanë vendosur për të bllokuar trafikun ajror dhe vënë nën presion shtetin shqiptarë si pasojë e uljës së pagës “nga 4000 euro në 2300 euro”.
“Shteti nuk ka përfshirje financiare në kompaninë Albcontroll, nuk merr të ardhura nga Albcontroll dhe nuk i ka dhënë asnjëherë asnjë para. Shtetet nuk kanë asnjë kontakt financiarë me lëvizjen ajrore. Deri në vitin 2019, kanë pasur paga deri në mbi 4 milionë lekë”, u shpreh në konferencën për mediat ministrja Balluku.
Ndërsa situata kaotike ka pushtuar hapësirën ajrore shqiptare, mbetet për tu parë nëse nga autoritetet përgjegjëse do të merren hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi të paprecedentë, apo do të zhvillohen konferenca mediash që zgjedhin adresimin e fajit në vend të adresimit të problemit. ©LAPSI.AL