Partia Demokratike e quan dështim situatën aktuale në shkolla, ku rreth 160 mësues janë të infektuar me COVID-19.
Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi deklaroi se kryeministri Edi Rama është i fokusuar tek riciklimi i mashtrimeve elektorale të viteve të shkuara dhe ka lënë mësuesit e nxënësit në mëshirë të fatit.
Ajo akuzoi drejtuesit e shkollave për fshehtësi të informacionit, me qëllim mbulimin dhe dështimin e partisë në pushtet, duke hapur kësisoj shkollat pa asnjë plan.
"Numri real duhet të jetë shumë më i lartë për dy arsye:
1. Tamponimi është bërë pak ose aspak
2. Edi Rama ka urdhëruar kodin e heshtjes. Asnjë drejtues nuk bën transparencë e nuk informon stafin mësimor, prindërit e nxënësit duke krijuar një situatë shumë të rënduar psikologjike. Mësuesit, nxënësit së bashku me familjarët janë në panik që shkaktohet më së shumti nga pasiguria, frika që vjen nga mungesa e informacionit", shprehet Vokshi.