Vjen reagimi i parë zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas rrëzimit në Kuvendin e Kosovës të qeverisë së Albin Kurtit. Në faqen e DASH është publikuar një deklaratë e përbashkët e të Dërguarit Special të Presidentit, Richard Grenell, Ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett dhe Përfaqësuesit Special në Ballkanin Perëndimor për Kosovën, Matthew Palmer.
Të tre diplomatët amerikane hedhin poshtë se ka një plan të fshehtë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Një plani të tillë i mëshoi edhe kryeministri Albin Kurti në senacën ku u votua mocioni i mosbesimit duke përmendur edhe emrin e Grenell.
“Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç disa kanë spekuluar. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë.
Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradë midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se kjo vrull do t'i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë” – thuhet në deklaratë e cila kërkon edhe një herë heqjen e tarifave ndaj Serbisë.
“Përveç kësaj, ne vazhdojmë t'i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat po dëmtojnë popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 - përfshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme - dhe duke penguar rritjen ekonomike” – thuhet në deklaratë e cila ka edhe një mesazh për krerët e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara janë me njerëzit e Kosovës. Ne i lavdërojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, në rrezik të madh, për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë.
Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues” – thuhet në deklaratë. ©LAPSI.al