Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Berndt Borchard, ka pranuar gjestin e turpshëm të ditës së djeshme para Drejtorisë së Policisë, ku u tregoi gishtin e mesit protestuesve që kërkonin lirimin e banorëve të arrestuar gjatë protestës së Astirit.
Në një postim në llogarinë zyrtare të prezencës së OSBE-së në Tiranë në rrjetin social "Twitter", ambasadori ka lënë një mesazh ndjese. Borchard thekson se respekton të drejtën e shqiptarëve për të protestuar.
“Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”, ambasadori Borchardt.
Borchardt ofendoi dje protestuesit, teksa ata po lëshonin thirrjen "Rama ik!". Për arsye që ende nuk dihen, ambasadori ngriti gishtin e mesit dhe u largua. Pak metra më tej, ai e tregoi sërish gishtin e mesit ndaj protestuesve, veprim ky që ka ngjallur një sërë reagimesh në opinion publik.