Më 13 shtator Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se do të japë dorëheqjen nëse Komisioni i Venecias do të shprehet se ai ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Patjetër! Këtë merak ke ti? Patjetër, nëse Venezia thotë që unë kam shkelur Kushtetutën unë do të jap dorëheqjen. Unë kam dhënë dorëheqje edhe si kryeministër për më pak se kaq.
Të thotë Venezia që unë kam shkelur Kushtetutën dhe unë të rri President? Kurrën e kurrës! Sa herë ka thënë Gjykata Kushtetuese që ka pasur ligje të parlamentit apo vendime qeverie në shkelje kushtetuese dhe s’ka ndodhur asgjë” – tha Meta në një intervistë për Syri Tv.
Raporti zyrtar i Venecias del më 11 tetor ndërsa në Tiranë ka mbërritur një draft paraprak sipas të cilit: “Shtyrja e zgjedhjeve pa një bazë të qartë ligjore është tejkalim i Kushtetutës, por jo shkak për shkarkimin e Presidentit”.
Siç edhe pritej Komisioni i Venecias ka dhënë një përgjigje të mesme. Dhe tashmë mbetet e paqartë si do të lexohet ky opinion nga kreu i shtetit.
Zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi e ka cilësuar draftin e Komisionit të Venecias si trakt të porositur. “Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar që na vjen nga institucione të ndryshme, përfshi edhe Komisionin e Venecias.
Aq më tepër që sot është data 27 shtator 2019, ndërsa ky dokument mban datën 29 shtator 2019. Jemi të paqartë: është “ngatërresë” nga nxitimi, apo në datën 29 shtator 2019 do vijë një dokument tjetër? Sa i takon çështjes në fjalë, qëndrimi im i mëparshëm është shumë i qartë: ZERO SHKELJE TË KUSHTETUTËS!” – tha Blushi. ©LAPSI.al