Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Përfaqësia diplomatike e SHBA-ve iu drejtohet shtetasve amerikanë në Shqipëri me thirrjen për të qenë vigjilentë rreth qendrave të votimit, të numërimit dhe të zyrave zgjedhore gjatë votimeve të së dielës.
Në deklaratë, shtetasit amerikanë udhëzohen që të shmangin zonat ku ka shenja të dhunës dhe të monitorojnë mediat lokale për t’u përditësuar me zhvillimet e fundit. Në thirrje theksohet se përplasjet e ditëve të fundit mes përkrahësve të opozitës së bashkuar joparlamentare dhe forcave policore në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), kanë rritur perspektiktivën e episodeve të dhunës.
Deklarata e Ambasadës Amerikane:
“Shqipëria do të mbajë zgjedhje në çdo bashki me 30 qershor 2019. Zgjedhjet në Shqipëri janë planifikuar të zhvillohen nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Zgjedhjet do të mbahen në çdo bashki të vendit.
Numërimi do të bëhet në qendrat e numërimit dhe mund të zgjasë deri në disa ditë. Incidentet e kohëve të fundit, shoqëruar me dhunë, kanë vënë në shënjestër zyrtarët e zgjedhur dhe materialet e votimit duke rritur perspektivën e dhunës ose shqetësimeve të tjera në ditën e zgjedhjeve, dhe ditët që pasojën për numërimin në qendrat e numërimit.
Jini vigjilentë rreth qendrave të votimit, qendrave të numërimit dhe zyrave zgjedhore. Shmangni çdo zonë që ka shenja të dhunës. Monitoroni mediat lokale për të qenë të përditësuar me zhvillimet”.
