Kryeprokurorja Arta Marku ka paraqitur pranë KLP-së kandidaturën për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Markut do t'i duhet të përballet në garë me magjistratin Olsian Çela, prokuroren Fatjona Memçajn dhe avokatin Lulzim Alushajn.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi garën për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm më datë 19 mars, bashkëshoqëruar me miratimin e rregullores mbi kriteret që duhet të përmbushin kandidatët. Në një hark kohor prej 45 ditësh, Këshilli do të bëjë vlerësimin e kandidatëve referuar kritereve të paracaktuara dhe më pas procedohet me mbajtjen e një seance dëgjimore me secilin prej tyre.
Kushtetuta përcakton se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e votave, në mesin e tri kandidaturave që KLP-ja i dërgon legjislativit. Nëse parlamenti vonon përtej 30 ditëve miratimin e njërës prej kandidaturave, prokurori i renditur nga Këshilli i pari në listë emërohet automatikisht në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.