Arrestohet nga patrulla e Policisë Rrugore në Durrës një 31-vjeçar, i cili i kishte grabitur nga qafa varësen e floririt një qytetareje.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 13:00, te mbikalimi në Fushë-Krujë, një shtetase ka qenë duke pritur linjën e transportit publik, ndërkohë që i është afruar një shtetas dhe i ka marrë me forcë nga qafa varësen, duke u larguar më pas me vrap.
Patrulla e Policisë Rrugore të DVP Durrës që ishte me shërbim në afërsi të stacionit, ka ndërhyrë menjëherë duke u vënë në ndjekje të personit. Pas disa minutash bënë të mundur kapjen e tij.
Në përfundim të veprimeve Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin A.Ç., 31 vjeç, banues në Kurbin.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasit të ndaluar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.