Erion Veliaj është treguar i kujdesshëm me shefin e tij pas marrjes së mandatimit për një mandat të dytë në Tiranë. Pas zërave se mes Ramës dhe Veliajt kishte një ftohje, ky i fundit flet për një raport mjaft vëllazëror mes tyre.
“Nuk ka pasur asnjë ngërç për rikandidimin. Problemi është se në një situatë ku çdo gjë gatuhet në kafe, ku ka diversion, as e kemi marrë parasysh të merremi me këto diversione. Të rrinim ta komentonim, ishte pa dobi. Thamë kur të kishte një kongres, do të kishte një vendimmarrje.
Unë dhe kryeministri kemi qenë të qartë me vizionin, që me idiotësitë dhe thashethemet nuk do të merreshim. PS tha kur të bëhet kongresi, do të shpallen kandidatët.
Ftohje me Edi Ramën apo një lloj largësie? Mishi me thoin nuk di të jenë më afër se ne. Në 30 vite pluralizëm nuk di të ketë pasur një kryeministër që ka qenë kaq afër sa unë me Edi Ramën. Unë dhe kryeministri flasim mesatarisht 20 herë në ditë. Unë jam pjesë e kryesisë së PS, jap kontributin tim në vendimmarrjen qendrore të PS” – tha kryebashkiaku.
Rama xheloz për popullaritetin e Veliajt?
“Kur unë kam filluar të punoj me Ramën, ai ishte në sondazhe mbi 80%, sepse lloji i punës si kryetar bashkie, që nuk është në Parlament, por është në terren ka në përgjegjësi rrugën, çerdhet, kopshtet. Kur unë punoja për Edi Ramën ai ishte 80%, kur kryeministri nuk ishte as 20%. Kur ka një sondazh, është vetë Rama që ma thotë i pari, me krenarinë që nuk është vetëm shefi, por shoku im. Më ka promovuar, më ka mbështetur në ditët më të vështira, edhe larg syrit të medias" - tha Veliaj.