
Një leje ndërtimi e miratuar nga institucionet shtetërore ka alarmuar banorët e Bulevardit “Bajram Curri”, në zonën e njohur si Brryli, dhe autoriteteve përgjegjëse. Në qendër të shqetësimit është ndërtimi i një godine banimi dhe shërbimi mbi një prej kolektorëve kryesorë të kanalizimeve të Tiranës.
Leja e Ndërtimit nr. 35, datë 17 dhjetor 2024, e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, autorizon ndërtimin e objektit “Strukturë banimi dhe shërbimi me 3 dhe 12 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë”, me zhvillues shoqërinë “Walter Construction” sh.p.k., në Bulevardin “Bajram Curri”. Plani i vendosjes tregon pozicionimin e godinës në raport me infrastrukturën ekzistuese të zonës.
Shqetësimet e banorëve mbështeten edhe në një shkresë zyrtare të Ujësjellës Kanalizime Tiranë, datë 10 shtator 2025, drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe shoqërisë zhvilluese. Në këtë dokument, UKT konfirmon se brenda sheshit të ndërtimit kalojnë disa tubacione aktive të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Sipas shkresës, në truall ndodhen një kolektor kryesor i ujërave të ndotura me diametër Ø800 mm, si edhe tubacione të tjera me diametër Ø400 mm dhe Ø200 mm, ndërsa kalojnë edhe linja të ujësjellësit me diametër Ø90 mm PE dhe Ø80 mm G. Dokumenti thekson se këto tubacione janë aktualisht në funksion dhe “në to shkarkojnë objektet përreth duke mbuluar një sipërfaqe të madhe të zonës”.
Ky konstatim ka konfirmuar shqetësimin mes banorëve, që thonë se nuk kundërshtojnë zhvillimin e pronës private, por kërkojnë të dinë mbi çfarë zgjidhjeje teknike është bazuar projekti dhe çfarë masash janë parashikuar për të garantuar funksionimin e pandërprerë të kolektorit gjatë dhe pas ndërtimit.
Banorët deklarojnë se prej muajsh u janë drejtuar institucioneve për të marrë informacion mbi projektin dhe garancitë teknike, por, sipas tyre, nuk kanë marrë përgjigje të plota për çështjet që lidhen me sigurinë e rrjetit të kanalizimeve.
Ekspertët e infrastrukturës e konsiderojnë rrjetin kryesor të kanalizimeve një element kritik të funksionimit të qytetit. Çdo ndërhyrje mbi kolektorë të tillë kërkon analiza të detajuara dhe masa mbrojtëse, pasi dëmtimi ose kufizimi i funksionimit të tyre mund të sjellë bllokim të rrjetit, dalje të ujërave të ndotura në sipërfaqe, përmbytje urbane dhe probleme të shëndetit publik.
Në një zonë me dendësi të lartë banimi si Brryli, një problem në funksionimin e kolektorit nuk do të ndikonte vetëm kantierin e ndërtimit, por edhe një pjesë të konsiderueshme të rrjetit që shërben këtë sektor të kryeqytetit.