Pasi njoftoi kalimin në grupin e Partisë Socialiste, Reme Lala i shprehu kryeministrit edhe dëshirën e deputetes tjetër të PDIU-së në Elbasan, Elena Xhina që edhe ajo t'i bashkohej PS-së. Por në një reagim në rrjetet sociale, kjo e fundit e ka mohuar këtë lëvizje.
"Sot pata kënaqësinë të isha e pranishme në inagurimin e fillimit të punimeve të Rrugës së Arbrit, në Dibër e ftuar nga mikja ime Reme Lala, të cilën e falenderoj që më dha mundësinë që ti bashkohesha dhe unë gëzimit të saj, për këtë ëndërr të vjetër të dibranëve!Marr shkas nga titujt e gazetave për të bërë një sqarim për opinion publik: Unë jam në grupimin e deputetëve të pavarur të Parlamentit të Shqipërisë !" ka njoftuar Elena Xhina.

Nuk dihet çfarë e pengoi Xhinën t'i bashkohej Partisë Socialiste, megjithëse prej kohësh deputetët e PDIU-së votojnë pro qeverisë. Me kalimin e Lalës drejt PS-së dhe daljen e pavarur të Elena Xhinës, degradimi i PDIU arrin kulmin. Në parlament i mbetet vetëm Dritan Bici, një ish kryebashkiak socialist.
Goditjen e parë këtë mandat PDIU e mori ditën e zgjedhjeve, kur Shpëtim Idrizi nuk u zgjodh dot deputet në Tiranë për shkak të pragut elektoral. Më pas erdhi dekriminalizimi që nxorri nga parlamenti Aqif Rakipin dhe dorëheqja e Bujar Muçës. Oreksi i pakontrolluar për deputetë, drejtori apo vende pune e ka kompromentuar në vijimësi kauzën e PDIU-së për të përfaqësuar shqetësimet, aspiratat dhe shpresat e çamëve në parlament. Dhe ndoshta nuk është rastësi, që kur pritet të miratohet marrëveshja me Greqinë, përfaqësimi i çamëve në parlament është inekzistent.©Lapsi.al