Analisti Fatos Lubonja e cilësoi projektligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar si një krim që po bën kryeministri Edi Rama së bashku me një grup njerëzish që i quajti oligarkë. I ftuar në emisionin “Studio e hapur” të Eni Vasilit ai u bëri thirrje deputetëve socialistë “që u ka mbetur një fije yndyre” të mos e votojnë këtë projektligj.
“Është një krim që e bëjnë Edi Rama me një grup njerëzish oligarkësh dhe Erion Velinë dhe kanë për qëllim ta bashkëndajnë me të gjithë kolegët e partisë. Kemi të bëjmë me një bandë që nuk pyet as për institucione as për ligj.
Si ka mundësi që u bëka ligj për një kompani? Ligji është një gjë e përgjithshme që nënkupton lidhur se si mund të veprohet për PPP.
U bëj thirrje atyre deputetëve socialistë që kanë mbetur atyre dhe që ju ka mbetur një fije yndyre të mos e votojnë atë ligj.
Ata që kanë kalkuluar te stadiumi, kanë bërë edhe kalkulimet te Teatri. Unë tani nuk e them dot me emër dhe mbiemër, por ka njerëz që janë marrë me këtë punë. Te stadiumi, pronari që është shteti merr vetëm fushën dhe diçka që mund të jetë 15-20%. Që këtu fillon grabitja.
Ekspertët e opozitës duhet ta sqarojnë. Lini Tiranën historike me këto vlera, me këtë teatër… Ka 20 e ca vjet që publikja grabitet nga një grusht politikanësh që nuk merret vesh se kush janë” – tha Lubonja. ©LAPSI.al